Dy fëmijë binjakë kanë humbur jetën në mënyre misterioze mëngjesin e sotëm në Berat.
Fëmijët e moshës 5 muajsh, të dy djem kanë mbërritur të vdekur në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal Berat rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Ata janë dërguar në Morgun e spitalit, ku i janë nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.
Nga autopsia nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja helmimi në trupin e fëmijëve, edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se fëmijët mund të jenë helmuar nga qumështi me kuti, me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.
Prindërit e foshnjave binjake pas autopsisë, raportohet se i kanë varrosur që sot fëmijët në var ezat Suelasit.
Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit, në lagjen “Uznovë”. Kunata e Merushes, Natasha Agalliu tregon se, fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore në mëngjes. Duke qenë se ishte ftohtë, e ëma e tyre, Merushja i kishte zbritur në katin e parë tek ajo ku ishte ndezur soba me dru.
Gjysëm ore më vonë ajo i kishte kërkuar kunatës të vinte të merrte fëmijët se do dilte, por në atë moment kanë vënë re që fëmijët nuk po reagonin. Ajo pohon se i kanë dërguar menjëherë në spital, por fëmijët kishin ndërruar jetë.
Natasha shprehet se fëmijët nuk ishin të sëmurë, asnjëri prej tyre nuk kishte shfaqur shenja virozash apo temperaturë. Askush nuk e kuptoi dot shkakun se përse vdiqën papritur foshnjat.
Mjekët dyshojnë se, fëmijët mund të kenë humbur jetën si pasojë e mungesës së ajrit në dhomë, ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat e foshnjave dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre, për të zbuluar shkakun e vertetë.