Ditën e sotme mbushen dy vjet nga ndarja nga jeta e gazetares Adelajda Xhamani.
Ndërsa koha kalon, miku i saj i ngushtë, gazetari Eraldo Rexho e kujton herë pas herës.
Edhe ditën e sotme ai ka publikuar një video me momentet e tyre në punë, ku shihen duke kënduar në sinkron “Jo, jo, jo, kurrë nuk të harroj”.
Po ashtu ai publikon një mesazh drithërues ku thotë se “Na paskan gënjyer edhe kur na kanë thënë që nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm”.
Mesazhi i Eraldo Lezhës për Adelën
“Vitet nuk e zbehin dhimbjen… Na paskan gënjyer Adela, koha nuk shëroka çdo plagë! Ikja jote dhemb njësoj, edhe sot, si çdo ditë. Gjithçka na ka mbetur tani janë kujtimet.
Të gjejmë në memorien e ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’, në galerinë e fotove në i-phone, në videot e shkarkuar në kompjuter, në një kërkim në Youtube, në një rikthim tek bisedat e ‘Whatsapp’… Në zyrën 40 metra katrorë, rrethuar nga orenditë që i zgjodhëm bashkë, në kolltukun ku bënim muhabetet e ditës, në tavolinën ku thurnim plane. Ti je gjithandej!
Je te 21-shi, tek rruga e Kavajës, tek Blloku, në Shkozë, Kombinat e Kinostudio, je tek eventi i fundit, ku ishim dje. Jeta vazhdon, por s’është njësoj pa ty.
Sepse na paskan gënjyer edhe kur na kanë thënë që nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. E di që në rastet e humbjeve të përhershme nuk ka vend për këtë krahasim, por unë ende po kërkoj për një bashkëpunëtore si ty. Kam rreth vetes, plot miq e bashkëpunëtorë të tjerë, të rinj e të vjetër, por nuk po e gjej Adelën.
Adelën që këndonte çdo ditë me mua, e që do të jetë gjithnjë në zemrën time. Të duam shumë dhe na mungon pafund. Kurrë nuk të harroj. Përgjithmonë Adela, 2 vjet pa ty”.