Gazetarja e Televizionit Klan, Rashela Shehu ishte e ftuar në emisionin “Rudina” dhe tregoi përjetimet e saj teksa raportonte nga terreni mbi situatën e krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Gazetarja tregon se, ka qenë një nga raportimet më të vështira dhe një përjetim tepër i fortë.
“Është nga ato situatat, rastet, raportimet që na e ka shkundur të gjithë qënien, qoftë nga pikëpamja profesionale. Është raportimi im më i vështirë, por natyrisht i tillë ka qenë edhe për kolegët. Nga ato situata që mund ta quaja situatë lufte. Por nga ana tjetër, ne nuk jemi më të njejtët, na ka ndryshuar si njerëz. Jemi rikthyer edhe në vlerën e një përqafimi, buzëqeshjeje. Përjetimi ka qenë shumë i fortë, prej kaq ditësh unë nuk e njoh më gjumin. Brenda meje vijojnë dhe mbeten para syve të njëjtat plane, skena, përjetime të atyre njerëzve që u kthyen në përjetimin tonë“.
Rashela tregon se ka qenë një peshë e madhe njerëzore, emocionale dhe dhim bja ishte e madhe, kur shikonte sesi familjarët luteshin dhe prisnin sesi do ishte fati i personave të mbetur në rrënoja.
“Prisnim për të raportuar për njerëzit që do dilnin nga rrënojat dhe nuk kishte gjë të vështirë sesa të shikoje familjarët që luteshin para rrënojave, para ekipeve të shpëtimit, luteshin para nesh nëse kishim informacion apo jo. Ka qenë raportim në një peshë njerëzore, profesionale, morale shumë të fortë. Nuk kishte gjë më të vështirë, teksa shikoje familjarët të vënë rradhë kur sinjalizohej për nxjerrjen e një trupi, të cilët prisnin nëse nga rrënojat do dilte familjari i tyre”.