Historike, Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar për herë të parë

    Nje marrëveshje historike është për shqiptarët e Maqedonisë së veriut ajo që arritën këtë të martë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të bashkëqeverisur për 4 vitet e ardhshme.

    Për herë të parë në historinë e këtij vendi, shqiptarët do të kenë një kryeministër nga radhët e tyre edhe pse ai do të drejtojë qeverinë 100 ditët e fundit të mandatit.

    Dakordësia erdhi si rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme, ku shqiptarët arritën gjithashtu një rezultat historik me 33 deputetë. E majta e Zaev, edhe pse arriti të dalë parti e parë, nuk siguroi dot mandatet e duhura për të qeverisur e vetme.

    Ndërsa partia e Ali Ahmetit pati si pjesë të fushatës kërkesën për një kryeministër shqiptar. Shqiptarët do kenë sërish kryetarin e Kuvendit, post që do të vijojë të mbahet nga Talat Xhaferri edhe për një mandat, ndërsa BDI do të marrë edhe postin e zv/kryeministrit.

    “Qeveria teknike do të shfuqizohet dhe në 10 ditët e fundit, partnerët e koalicionit, në propozim të BDI-së, do të vendoset Kryeministri i cili do ta udhëheqë qeverinë në 100 ditët e fundit të mandatit të rregullt. Ne u dakorduam që kryetar i ardhshëm i Kuvendit të jetë zoti Talat Xhaferi”.

    Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e falënderoi Zaevin për këtë hap të guximshëm.

    “Duhet përshëndetur edhe guximi i zotit Zaev, që për herë të parë në këtë vend 100 ditë do të jetë kryeministër një shqiptar i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim”.

    Të dy kryetarët e partive nuk e zbuluan pjesën tjetër të marrëveshjes, që ka të bëjë me ndarjen e posteve, ku BDI do të drejtojë edhe disa ministri. Ata kërkuan që të bëhet durim derisa të kryhen konsultimet me strukturat e partive të tyre. Të dyja partitë i kanë caktuar mbledhjet e kryesive dhe marrëveshja finale me ndarjen e posteve pritet të shpallet brenda dy ditëve.

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *