Jam D., 28 vjeçe, nga Mitrovica, e martuar në Vushtrri para tri vjetësh, e që Zoti ende nuk më ka falur fëmijë. Im burrë është 32 vjeç dhe ka një firmë të veten, ku edhe e kalon pothuajse tërë ditën në punë. Unë me vjehrrën thuajse tërë ditën gju më gju, siç thuhet te ne. Por, problemi është se sado që mundohem t’ia bëj kafenë me kohë, të fshij e laj, ajo prapëseprapë është e pakënaqur me mua, shkruan “Kosovarja
Zgjohem herët në mëngjes dhe e përcjell tim burrë për në punë. Ai ka një firmë dhe thuajse tërë ditën e kalon në punë
Unë e vjehrra jemi pothuajse “inventari i shtëpisë” ag e terr. Dhe, meqë jemi vetëm ne të dyja pothuajse tërë ditën, mundohem t’i shërbej si duhet, si edhe i takon t’i shërbejë nusja vjehrrës
Dhe, përkundër përpjekjeve të mia që t’ia bëj me kohë kafenë e mëngjesit, pastaj kafjallin, të fshij, pastroj e laj, prapëseprapë nuk është e kënaqur me mua
Pse
Shpeshherë më thotë edhe fjalë paksa të rënda: gjumashe, demelicë, e interesuar vetëm të shëtisë dhe të flasë në telefon, e të tjera të ngjashme, edhe pse asnjëra prej fjalëve të apostrofuara nuk kanë të përbashkëta me mua
E para, unë zgjohem herët dhe e përcjell tim burrë për në punë. Pra, nuk jam gjumashe
E dyta, me kohë ia bëj kafenë e mëngjesit dhe kafjallin, kurse gjatë ditës laj, pastroj, fshijë… Pra nuk jam demelicë
E treta, rrallëherë dal në qytet, madje vetëm kur kam për të blerë diçka. E, shumë më rrallë dal me ndonjë shoqe në kafe. Pra, nuk jam prej atyre që dalin çdo ditë në kafe a në shëtitje me shoqe a edhe ndonjë shok
E konsideron veten maestro
Por, e vërteta është se ajo di të përgatisë mirë drekën dhe nuk përton edhe aq. Kur unë dua të përgatis drekën ajo kinse mundohet t’më këshilloj, por më shumë më qorton dhe kjo më nevrikos
Edhe kur unë e pastroj shtëpinë, siç themi në shtëpinë tonë “pastrim gjeneral”, ajo e cilëson veten maestro
Dhe, ai ishte e tillë gjithmonë
Jo, në fillim të martesës sime ishte krejt ndryshe. Ishte e qeshur, kishte qëllime të mira, por sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndërhyn në jetën time, duke më dhënë këshilla të padëshiruara dhe të papërshtatshme
E, po qe se i “kundërvihem”, qoftë edhe me ndonjë fjalë të lehtë, zakonisht ma “punon” pas shpine, duke i spiunuar djalit të saj, pra burrit tim, se kinse unë nuk po e respektoj sa duhet si vjehërr
E, kur fillon të tregojë për kohën kur edhe ajo ka qenë e re, pra kur ishte nuse, është gjithmonë e gatshme për të folur për të gjithë, duke bërë kritika të ashpra sa majtas-djathtas, pavarësisht ndjenjave të të tjerëve ose këndvështrimeve të tyre
Cili është faji im
Por, kur ndalem dhe mendohem mirë e mirë shoh se edhe unë kam një faj, që ajo nuk do ma fal kurrë: Ia kam marrë personin më të çmuar dhe më të rëndësishëm të jetës së saj, fëmijën e saj, sepse për të ai gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet fëmija i saj
E unë, çka kam faj pse tim burri i ka ardhur koha të martohet dhe më ka zgjedhur mua për grua?