Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përveç se ka shpjeguar procedurën e përzgjedhjes së mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që shkuan në Itali ka sqaruar edhe deklaratën e Menaxherit të Përgjithshëm të Spitalit Civil në Brescia.
Në një intervistë për Abc News, Manastirliu tha se përzgjedhja e tyre ishte në bazë të listës së vullnetarëve.
“Pas thirrje që realizuam, përzgjedhja për t’ju bashkuar këtij grupi ishte në bazë të listës së vullnetarëve që kishim, ishin rreth 3 mijë persona që ishin bashkuar. Kjo iniciativë kërkonte mjekë të specializuar”.
Ndërsa lidhur me deklaratën e Menaxherit të Spitalit të Brescias, se mjekët nuk dispononin vërtetim të aftësive të tyre profesionale, Manastirliu tha se licenca e tyre është dokumenti certifikues.
“Një pjesë e tyre kanë eksperiencë, janë një personel që ka aftësinë për t’ju përgjigjur kësaj situate. Dokumenti certifikues është vetë licenca e tyre. 30 mjekët dhe infermierët kanë disponimin e të gjithë licensace përkatëse, por për tu ndarë në shërbime specifike do të duhet një vlerësim i njohurive të tyre dhe këtë e zbaton çdo spital në momentin që rekruton një staf të ri”-tha Ministrja.