Me konfirmimin e mutacioneve të reja javën e shkuar, të gjithë prisnin që depërtim i BA1 e BA2 të reflektohej në numra, por nuk ndodhi. Për bluzat e bardha, kjo e ka një shpjegim.
“Po të imagjinojmë një pemë, të gjitha janë degët e saj. Te dikush me pasoja më të mëdha e te një tjetër me pasoja më të vogla, por që në fund të fundit është ‘Omicron’.Kështu, popullata që e ka kaluar është e mbrojtur. Për një periudhë kohe nuk do të preken nga BA2. Unë them që jemi të mbrojtur, të sigurt për 5-6 muaj”, sqaron mikrobiologu, njëherësh anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi.
Sipas tij, shqiptarët pritet të kalojnë një verë të qetë, pa panik, por kjo nuk do të thotë se Covid-19 do të zhduket. Ndaj, apeli i tij shkon për vaksinimin, i cili me gjasë do të bëhet rutinë, por ende është në nivel diskutimi.
“Mund të jetë një vaksinë e përvitshme, si ajo e gripit, që të reflektojë ndryshimet apo mutacionet e një viti më përpara që të jetë universale. Nga ana tjetër, mund të jetë një vaksinë e bashkuar me të gjithë viruset problematike respiratore stinore. Megjithatë, është akoma në diskutim”.
Dita kur masat anti-Covid do të hiqen tërësisht dhe njerëzit të jetojnë lirshëm, për Koraqin kjo varet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila vendos kur do t’i japë fund pandemisë, por edhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili merr vendime bazuar në ecurinë në vend.
Burimi: Panorama