Mjeku urolog Artan Koni tregoi diten e sotme se ndërkohë që të gjithë, përfshirë mjekët e strukturat e qeverisë mendonin dhe propagandonin vatra të ndryshme infeksioni, doli që QSUT u kthye vetë në vatër infektimi.
Koni thotë për gazetaren Nisida Tufa se vendi që duhet të shërbente për shërim, u kthye në burim infeksioni nga covid-19.
Ai shton se propaganda vazhdon, por vendi ynë nuk e ka situatën në kontroll, nuk kemi buxhet të mjaftueshëm dhe as infrastrukturën e duhur.
“Ne mendonin se vatra e infeksionit ishte kjo ishte ajo, por në fund na doli vetë QSUT vatër infeksioni. Vendi që duhet të ishte për shërimin e pacientëve, u kthye në vatër infektimi. Mund të ishte dhe spitali i Burrelit, por aty u bë se mblidheshin të gjithë të sëmurët e Shqipërisë.
Për disa arsye, retorika e përgjithshme e qeverisë ishte se pas hapjes së karantinës fajin e ka populli, por mirë, në QSUT kush e ka fajin, mjekët? Mjekëve i munguan maskat, dorezat, veshjet speciale, sterilizimi, mungoi infrastruktura.
Vjen ambulanca, afrohet, varet se kush e merr pacientin, si e merr. Një herë u mbyll hematologjia, pastaj një pavion tjetër”, tha Koni.
Tufa: Çfarë mbahet e fshehtë?
Koni: Po ja, thonë gjendja është në kontroll, nuk është në kontroll. Thonë spitalet janë gati, nuk janë gati. Thonë po bëhen testime aq sa duhet, por nuk po bëhen aq sa duhen.
Thonë që çdo gjë është gati, kemi çdo gjë në dispozicion, nuk është se i kemi të gjitha. Ministrja do ishte më mirë të thoshte që kaq buxhet kemi, jo të thotë i kemi të gjitha. Se po t’i kishim të gjitha s’do ishim në këtë gjendje.