Rezarta Hajdari, 19 vjeçarja, ndërroi jetë si pasojë e monoksidit të karbonit, përhapur nga mangalli me prush që përdorte për ngrohje.
Kjo është përgjigjja e autopsisë për të renë që ndërroi jetë në muajin dhjetor 2019 në fshatin Xhyrë të të Librazhdit në shtratin martesor, 5 ditë pasi ishte martuar me bashkëshortin e saj Olsi Hajdarin.
Edhe ky i fundit mbeti në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe në kushtet kur ende nuk fliste, u dyshua për vetëhelmim nga ana e të rinjve. Me daljen nga spitali, Olsi Hajdari 27 vjeç tha se gjithçka ndodhi nga mangalli me prush që lanë ndezur teksa u shtrinë të flinin, por ky version nuk u besua nga familjarët e Rezarta Hajdarit, të cilët nuk e pranuan familjen e Olsit në ceremoninë e lamtumirës së të bijës.
Në një lidhje telefonike me gazetarin e Report Tv, Renaldo Gjoshi, vëllai i 19-vjeçares, Reshit Xibraku është shprehur se është dakord me ekspertizën e bërë nga mjekët dhe se nuk ka më dyshime për vdekjen e motrës së tij.
“Analizat i mora. Jo nuk kam asgjë për të thënë. E pranoj se është helmuar nga mangalli.” është shprehur ai.