Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero foli së fundmi për ngarkesën e madhe në spitalin e sëmundjeve infektive, si pasojë e koronavirusit.
“E them me sinqeritet se jemi të lodhur. Komunikimi është pothuajse gjatë gjithë ditës si me qytetarët si me pacientët.
Dita jonë e punës është totalisht e ngarkuar. U bë pothuajse 4-5 muaj që spitali i sëmundjeve infektive ka një ngarkesë shumë më të madhe.
Më parë kemi pasur shtrime të larta, por kanë qenë edhe familjarë që iu vinin në ndihmë të afërmve të tyre, por me këtë sëmundje të gjithë ngarkesën e përballon personeli shëndetësor”, u shpreh Pipero për “abcnews.al”.
Në vijim, ai pohoi se mjekët e familjes në koordinim me epidemiologët po bëjnë të pamundurën për të menaxhuar situatën.
“Nxitimi për të dhënë antibiotik pa pasur klinik është i gabuar. Dua të them që mjeku i familjes është trajnuar jo vetëm nga Urgjenca Kombëtare, por edhe nga ne.
Janë bërë disa trajnime dhe di të them se i kemi trajnuar dhe ky është një nga avantazhet që ka mjeku i familjes në përballjen me COVID-19.
Nuk duhet të nxitohemi, skema për t’u përdorur ndryshon sipas fazave të sëmundjes. Ata që kanë nevojë për trajtim u kemi dhënë skema të duhura. Nëse ka vështirësi në frymëmarrje komunikohet me 127″, tha ndër të tjera Pipero.