Disa intelektualë nga qyteti i Sarandes kanë hedhur idenë e ndryshimit të emrit të qytetit bregdetar, duke i rikthyer atë emër që ka mbajtur në lashtësi.
Propozimi vjen vetëm pak kohë pasi Këshilli Bashkiak i “Urës Vajgurore” votoi unanimisht pro ndryshimit të emrit për qytetin që tashmë quhet Dimal, si emri ilir i qytetit antik që ndodhet në atë zonë.
Por edhe për Sarandën, ndonëse në fazë jo zyrtare, në grupet e rrjeteve sociale ka shpërthyer diskutimi për ta quajtur Onhezmi, si emri i parë që ka mbajtur qyteti i lashtë port po në të njëjtin vend.
Emri sipas latinishtes mund të ketë dy kuptime, Onhezi ishte një erë juglindore e cila frynte dhe lehtësonte udhëtimet me varka e anije dhe kuptimi i dytë është se sipas legjendave Onkizi ishte babai i Eneas, raporton newsbomb.al.
Gjatë pushtimit italian, Saranda është quajtur për pak kohë “Porto Eda”, për nder të vajzës së madhe të Benito Mussolinit.
Saranda do të thohë “40” në gjuhën greke, emër që e ka marrë nga manastiri i “40 shenjtorëve” në kodrën mbi qytet.