Profesor amerikan, Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë Temblor Incorporated, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.
Në një intervistë që i dha nga San Franciskoja për Zërin e Amerikës, Profesor Stein tha se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vemendja. Puna e kompanisë Temblor në Shqipëri dhe Ballkan financohet nga zyra amerikane e ndihmës për fatkeqësitë ndërkombëtare.
Pjese nga intervista
Njerëzit duan të dinë se kur do të ndodhë tërmeti i radhës. Kjo është një pyetje mjaft e zakonshme që bëhet sot në Shqipëri.
Profesor Ross Stein: Dhe kjo është një pyetje që bëhet kudo. Shpresoj që shkencëtarët të mund të ndihmojnë ose të parashikojnë tërmetin tjetër. Por ne nuk mundemi. Ka një variacion tepër të madh sa i përket përmasave, periudhës nga njëri tërmet te tjetri. Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht. Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër. Edhe ky tërmet u parapri nga 4 ose 5 paragoditje. Ju mund të pyeni: Nëse kishte paragoditje, përse të mos e parashikojmë tërmetin e madh? Mirëpo, nëse shohim këto paragoditje, atë i ngjajnë çdo tërmeti tjetër. Në vend të kësaj, ajo që mund të bëjmë ne është të flasim se cilat janë zonat më të rrezikuara në Shqipëri dhe si duhet t’i ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet. Rajoni rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe kjo na tregon se pikërisht këtu duhet të përqendrojmë vemendjen tonë.
Zëri i Amerikës: Si i shpjegoni kaq shumë pasgoditje? A mund të pritet që ndonjëra nga këto pasgoditje të jetë aq e madhe sa të sjellë të njëjtën shkallë shkatërrimi?
Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje e rëndësishme. Nuk është e pazakontë që pas një tërmeti të madh të vijë një tjetër, siç ndodhi me tërmetin e Izmitit në 1999. Prandaj ne duhet t’i themi vetes: Edhe pse ndodhi ky tërmet, rreziku nuk është pakësuar. Në fakt rreziku është shtuar për një fare periudhe të rëndësishme kohe.
Zëri i Amerikës: Dhe natyrisht pyetja është se për çfarë periudhe kohe bëhet fjalë. Njerëzit duan të dinë. Pyetja tani për tani është nëse duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre apo të qëndrojnë jashtë dhe të presin deri sa të ndërtohen banesa më të mira.
Profesor Ross Stein: Kjo është një pyetje me shumë rëndësi dhe përgjigja varet nga cilësitë e ndërtesave, sa të forta janë ato. Përgjigja e shkurtër është: Sa më gjatë të qëndrosh jashtë një ndërtese të dobët, aq më mirë. Nuk mund të ketë një moment kur shkencëtarët të thonë: Në rregull, rreziku tani ka kaluar. Rreziku do kohë që të kalojë, kjo kohë mund të jetë një dekadë por mund të shkojë deri në 100 vjet. Këshilla ime është: Ajo që duhet të bëjnë njerëzit tani është të marrin specialistë për të inspektuar ndërtesat e tyre. Nëse cilësia e ndërtimit është e mirë, kthimi nëpër banesa është ndoshta gjëja më e sigurtë. Përndryshe, nëse ndërtesa është e dobësuar, duhet qëndruar jashtë sepse ekziston rreziku që ajo të shembet nga një pasgoditje.