Rruga nacionale mes kthesës së Vriserasë dhe pikëkalimit të Kakavijës ishte e mbushur plot me mjete që presin në një radhë prej gati 3 km.
Përveç dyndjes së njëkohshme shkaku i radhës kilometrike lidhet edhe me kufizimet në sportele që pala greke ka vendosur. Aktualisht është duke u punuar me një deri në dy sportele, të cilat paraprihen nga një ekip shëndetësor, i cili kryen testime me përzgjedhje për qytetarët që kalojnë kufirin. Dyndja e njëkohshme sigurisht që e justifikon radhën megjithatë kemi të bëjmë me një radhë të pazakontë që i kalon të 3 km e shënuar që në orët e para të mëngjesit ku qindra mjete i radhitën në pritje të hapjes së kufirit nga pala greke.
Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm rrezikohet edhe një situatë humanitare pasi qindra njerëz janë duke pritur në aksin nacional në diell në temperatura mbi 35 gradë pa ujë dhe lehtësira të tjera si tualete. Disa biznese kanë ofruar ujë por situata kërkon një zgjidhje më të përgjegjshme.
“Me sy është mbi 5 km, janë mbi 3-4 mijë makina. Po është me këtë ritëm nuk kalojmë dot as për 3 ditë. Kemi ngelur këtu edhe pa ujë. Erdhi një furgon na solli ujë, por sa ujë do na sjellë, ne do rrinë 2-3 ditë”.
“Erdhëm në Shqipëri për të paguar taksat, në këtë shtet kam që në orën 6 që kam ardhur këtu akoma nuk kemi shpresa që të kalojmë edhe në 11 të natës. Ku është parë, punoka dogana deri në 11 dhe nuk punon 24 orë”.
“Çfarë të them me fëmijë të vegjël, me njerëz të sëmurë, këtu nuk do t’ia dijë njeri.”
“E shihni gjendjen? Vijmë me fëmijë të sëmurë, jam për në spital”.
“Kemi 4 orë dhe kemi nja 5000 makina përpara, çfarë bëhet nuk e di. Mund të kenë të drejtë të dy palët por ne si popull nuk kemi pak të drejtë?”
“Një orë 10 m. I thashë edhe policit të bëjë një dallim për fëmijën e vogël. Jo më tha prit atje në radhë.”
Gati 1/3 e mjeteve që qëndrojnë në radhë janë familje me fëmijë apo të moshuar. Ka shumë qytetarë që po nxitojnë drejt spitaleve në Greqi dhe gjenden gjithashtu të bllokuar brenda kësaj radhe. Askush nuk mund ta lerë radhën për asnjë moment për të kërkuar shërbime, por ata që po presin duan një përgjigje se kur do të zhbllokohet situata në palën greke, minimalisht kërkohet një shtim i sporteleve me 4 apo 5 të tillë për t’iu përgjigjur edhe fluksit të njëkohshëm.
Nga ana tjetër kërkohet furnizim me ujë për gjithë këtë linjë automjetesh që po presin që prej orëve të para të mëngjesit.