Shikojeni lëkurën e Almedës. A s’ngjan si magji? Po, ngjan. Në fakt është efekti i kafesë turke dhe disa përbërësve të tjerë që mund t’i keni në kuzhinë. E ftuar në Pa filtër, moderatorja dhe aktorja tregoi sekretet e kujdesit ndaj lëkurës. Për të, gjëja më primare është pastërtia:
“Jam e fiksuar. Trajtimi i vetëm që unë i jap shumë rëndësi është pastërtia në fytyrë. Mbas një dite të lodhshme, gjëja që kam më shumë qejf të bëj është të heq gjithë grimin, edhe pse s’bëj shumë makeup. Përdor tonik, duhet t’u hyj thellë poreve, duhet të ndihem shumë e pastër.
Sa më të pastër ta mbash fytyrën, aq më pak nevojë ke për të tjera produkte. Kjo ka rëndësi: ta mbash të pastër, ta mbash të hidratuar dhe të dish si ta trajtosh. Pastrimi më ha gjysmë ore në darkë.”
Ndërsa tek produktet kozmetike, Almeda nuk eksperimenton shumë:
“Gjithmonë preferoj gjërat bio. Sigurisht që i përdor produktet kozmetike, por jo ato të rëndësishmet, më të rëndësishmet i kam bio, ç’mund të bëj në shtëpi. Çdo ditë bëj scrub me kafe turke dhe vaj ulliri. I përziej dhe fërkoj lëkurën me to.
Ndërsa një herë në javë bëj një përzierje timen prej vitesh. Përziej kafe turke, me kanellë, me mjaltë, me të verdhën e vezës, shumë pak kos të trashë. Bëhet si tip kremi dhe e vendos në fytyrë. E mbaj për 20-30 minuta. Është një nga maskat më të mira që mund të rekomandoj. Më pas e laj fytyrën duke e fërkuar shumë pak. E lyej fytyrën me të bardhën e vezës që e tërheq lëkurën. Embaj për 10-15 minuta dhe në fund vë kremërat që preferoj. Një herë në muaj bëj një pastrim në qendra estetike.”
Një tjetër sekret? Almeda s’fle kurrë, kurrë me grim vënë:
“Nuk fle kurrë me grim. Një rast më thanë të vendosim ca qerpikë me zgjatim dhe u thashë jo sepse më pëlqen natyralja. Thashë le t’i provoj një herë dhe i vura. Shkoj në darkë në shtëpi dhe po fshija grimin dhe kur erdhi momenti tek qerpikët nuk dija si t’i hiqja. Kam fjetur keq dhe në mëngjes u zgjova me një po, një jo. I shkulla me gishta ato qerpikë bashkë me të mitë, mu dukën të ekzagjeruar dhe ndihesha e pisët.”