Si ta lehtësojmë dhimbjen e artritit nga doktoreshë Alma Kodheli

Artriti, si ta lehtësojmë dhimbjen
Bisedoi Elona Tereziu

Artriti reumatoid është një ndër sëmundjet inflamatore artikulare më të shpeshta që prek rreth 1% të popullatës së përgjithshme në të gjithë botën. Karakterizohet nga një periudhë e gjatë acarimi dhe në shumë raste mund ta çojë të sëmurin dhe në invalidizëm. Doktoreshë Alma Kodheli, mjeke remautologe pranë Qendrës së Specilaiteteve Nr. 2 në kryeqytet, bën një trajtim të hollësishëm të artritit reumatoid.

Doktoreshë, çfarë është artriti dhe si shfaqet?

Artriti reumatoid është një ndër sëmundjet inflamatore artikulare që prek rreth 1% të popullatës së përgjithshme në të gjithë botën, e cila karakterizohet nga periudha të gjata acarimi dhe ka si karakteristikë prekjen sistemike dhe simetrike të artikulacioneve, kryesisht të duarve dhe të këmbëve.

Cilat janë simptomat klinike më të shpeshta me të cilat shfaqet?

Sëmundja fillon gradualisht në 55- 65% të rasteve. Shenjat e para mund të jenë të përgjithshme ose artikulare. Tek disa të sëmurë dobësia, enjtja e duarve ose dhimbjet difuze muskuloskeletike mund të jenë ankesat e para jospecifike dhe artikulacionet dëmtohen më vonë. Ngurtësimi mëngjesor, i cili mund të shfaqet para fillimit të dhimbjeve, është karakteristike e kësaj sëmundjeje.

Mjeku zakonisht e pyet të sëmurin se si i përdor duart, si vishet, hapat e para, si i mbështet këmbët, a janë të dhimbshme, lëviz lirshëm ose jo. Mund të kenë dhe temperaturë subfebrile, e lehtë, 37 gradë. Pacientët ndihen të lodhur, janë të mërzitur, kanë anoreksi, kanë djersitje, bëhen nervozë etj. Me kalimin e kohës fillojnë që të shfaqen shenjat e para artikulare. Mbas këtij stadi të dhimbjes, fillojnë artritet e vërtetam të cilat karakterizohen nga enjtjet dhe vështirësitë në lëvizje, artikulacionet e vogla të duarve të këmbeve, të gishtave, por nuk përjashtohen as artikulacionet e mëdha, si këmbët, bërrylat etj.

Prekja e artikulacioneve është prekje simetrike në të dyja anët njësoj. Është një tregues mjaft i mirë për t’u diferencuar nga mjaft sëmundje të tjera. Artikulacionet janë të dhimbshme, kanë një nxehtësi lokale. Nëse nuk ndërhyhet, sëmundja mund të shkojë deri në dëmtim të kërcit artikular dhe të kockës.

Cilët prek më shumë dhe cila moshë është më e riskuar?

Artriti reumatoid prek seksin femër më shumë se meshkujt (Artriti prek 1 në 4 gra dhe 1 në 5 burra). Në fakt, artriti në përgjithësi prek moshat nga 30- 60 vjeç, koha më aktive e jetës. Është një sëmundje e përhapur në të gjithë botën. Edhe në vendin tonë ka të njëjtën përhapje sikurse në vendet e tjera. Kjo sëmundje në mjaft raste e çon të sëmurin drejt invalidizimit.

Nuk ka ndonjë lidhje me sezonin, me stinën. Mund të fillojë në çdo periudhë të vitit, me të njëjtën shpeshtësi.

Megjithatë, ndryshimet atmosferike luajnë rol në rëndimin e shenjave klinike, jo në rëndimin e sëmundjes. I sëmuri ndjen dhimbje më tepër kur është ftohtë ose kur është lagështirë.

Është më i shqetësuar, por kjo nuk do të thotë që sëmundja rëndohet më tepër në këto periudha stinore.

A luan ndonjë rol faktori gjenetik?

Faktorët gjenetikë mendohet që po. Ka mjaft të sëmurë që e njëjta sëmundje haset tek pjesëtarë të së njëjtës familje. Pra nëna, vajza, gjyshja, mbesa, nipi vuajnë nga e njëjta sëmundje. Shkon mjaft shpesh dhe me prirjen gjenetike, sfera hormonale.

Te gratë përpara menopauzës shpeshtësia e sëmundjes është më e lartë. Është vënë re se pas menopauzës rastet agresive të sëmundjes fillojnë dhe qetësohen, përmirësohen. Influenca e sferës hormonale shihet gjatë shtatzanisë. Sëmundja përmirësohet, pothuajse nuk ka nevojë fare për mjekim. Por menjëherë pas lindjes fillojnë shenjat e acarimit të sëmundjes.

Risku për t’u sëmurur me artrit është rreth pesë herë më i madh 12 muaj pas shtatzënisë. Pranohet që femrat që nuk kanë lindur, kanë risk të lartë për t’u sëmurur nga artriti reumatoid, por nuk dihet nëse steriliteti është vetë faktor risku përpara shfaqjes së artitit reumatoid apo shtatzënia në vetvete ka rol mbrojtës. Ndikimi i shtatzënisë në shfaqjen e artitit reumatoid, duket se është mjaft komplekse. Ka mjaft të dhëna që flasin se shtatzënia ndikon në shfaqjen e artrit reumatoid. Njihet fakti se raste të reja me artrit reumatoid në periudhën e shtatzënisë janë të reduktuara, sidomos gjatë shtatzënisë së parë. E kundërta shihet pas lindjes. Shfaqja e artritit reumatoid me frekuencë jo të njëjtë në periudha të ndryshme të shtatzënisë, lindjes dhe laktacionit flet për ndikim të hormoneve endogjenë.

Çfarë regjimi ushqimor duhet të mbajë një njeri që vuan nga artriti?

Obeziteti, mbipesha luan rol negativ, sepse mbingarkon artikulacionet. Në mënyrë indirekte dalim në konkluzionet se abuzimi me yndyrnat, me glukozat pa kriter, brumërat dhe sheqernat janë jo të mira. Ushqimi duhet të jetë i shumëllojshëm. Duhet të ngulim këmbë te ushqimet e freskëta, te zarzavatet, frutat, bulmetrat e freskëta, vitamina D gjithashtu është parë si një shtesë e nevojshme.

Sa ndihmojnë ushtrimet fizike?

Rekomandohen ushtrime për të parandaluar dëmtimin e artikulacioneve, deformimet etj. Duhen bërë gjithmonë ushtrimet fizike, por nën drejtimin e mjekut fizioterapist. Asnjëherë të mos i bëjmë vetë duke u nisur nga mendimi që mund t’i bëj, sepse i di.

Po banjat termale a janë të rekomandueshme?

Janë situata të ndryshme klinike për të cilat vendos mjeku specialist. Gjithmonë para se të shkojnë në llixha, në plazh për pushime është e nevojshme konsulta me mjekun specialist. Në stadin kur sëmundja është aktive, pra, ka dhimbje, ka enjtje, ka edemë të artikulacioneve, i bën shumë keq e nxehta, rëra e nxehtë, kripa e nxehtë, banja termale.

Duhet që mbi artikulacionet të vendosen kompresa të ftohta me akull. Përveç kësaj, ka mjaft vlerë mjekimi medikamentoz. Medikamentet që përdoren në këto sëmundje kanë efekte anësore, prandaj duhet patjetër konsulta me mjekun specialist.

Po një fëmijë a mund të preket nga artriti?

Tek fëmijët e vegjël forma më e shpeshtë e shfaqjes është temperatura e lartë. Kjo shoqërohet me shenja të përgjithshme sistemike, ku prekjet artikulare vijnë më vonë. Kjo formë e shfaqjes së sëmundjes tek fëmijët, që quhet formë akute e shfaqjes së sëmundjes, në raste të rralla mund të jetë edhe tek të rriturit, çka e bën shumë të vështirë vendosjen e diagnozës.

Artriti reumatoid bën edhe disa deformime karakteristike të anësive. Gishtat marrin pamjen e qafës së mjelmës, dora merr pamjen e kurrizit të gamiles, gishti i madh i këmbës sheh anash, gishtat me deformim “zigzag” apo deformime si forma e “çekiçit”.

A është një sëmundje që mund të parandalohet?

Nuk ka parandalim për këtë sëmundje. Nuk parandalojmë dot shkaktarët gjenetikë. Parandalohen pozicionet vicioze, dëmtimet e rënda që jep sëmundja. Duhet të diagnostikohet në kohën e duhur dhe të mjekohet në kohën e duhur.

Sa ndikon mjeku i familjes në punën tuaj?

Mjeku i familjes ndihmon shumë. Ai është i pari që përballet me sëmundjen dhe ka nivelin e duhur tekniko- shkencor për të diagnostikuar dhe për të drejtuar të sëmurët me këtë patologji tek specialisti. Natyrisht diagnozën përfundimtare e vendos specialisti.

A shërohet artriti?

Sëmundja mund të përmirësohet, por nuk shërohet plotësisht. Me përkujdesje, me trajtim rigoroz, me kontrolle, duke zbatuar këshillat e mjekut, sëmundja mund të përmirësohet. Me mjekimet aktuale këta pacientë janë të aftë që të punojnë në punët që kanë qenë më përpara, por me kufizime shumë të vogla./ https://propacientit.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *