Presidenti rus Vladimir Putin ka rikthyer edhe një herë frikën e luftës bërthamore. Edhe pse prej disa javësh janë ndalur kërcënimet, mediat ndërkombëtare kanë kapur një detaj të fortë gjatë vizitës së Putinit në funeralin e një mikut të tij.
Gjatë kohës që ai lëvizte, një nga personat që e shoqëronte u pa të mbante në dorë një çantë të zezë, e cila aludohet se mund të jetë çanta që mban butonin e raketave bërthamore.
Presidenti rus mbërriti në Katedralen e Moskës, për të nderuar ultra-nacionalistin e zjarrtë Vladimir Zhirinovsky, raporton “The Sun”. Putini, i veshur me të zeza, bëri shenjën e kryqit përpara arkivolit të hapur të Zhirinovsky, teksa lideri politik dhe aleati i tij i ngushtë po dërgohej në banesën e fundit.
Sipas tabloidit britanik, prania e dukshme e një oficeri të lartë ushtarak që mbante aparatin e lëshimit të raketave bërthamore, mendohet të jetë një shenjë rrëqethëse se Putini nuk ka hequr dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Imazhet vijnë shtatë javë pasi lideri rus vendosi armët e tij bërthamore në gatishmëri.