Tirana është vatra kryesore e infeksionit të koronavirusit. Më shumë se gjysma e të prekurve në vend jetojnë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Por, hetimi i rasteve nis nga njësia vendore e kujdesit shëndetësor.
9 grupe specialistësh hetojnë çdo ditë raste të reja si dhe bëjnë gjurmimin e të gjithe kontakteve të tyre. Hetimi për përhpajen e koronavirusit nuk ka orar. Në fillim, në çdo ditë mësohen vatrat e reja dhe personat që kanë dhënë sinjale, si raste të mundshme me Covid-19.
A2 ka ndjekur një ditë nga puna hetimore e grupit të mjekëve në terren. Para përballjes me atë që e quajnë vatra e koronavirusit, veshin uniformën speciale për të shmangur transmetimin e virusit. Informacionet për raste të dyshuara me koronavirus kanë ardhur nga zona pranë “Pallatit me shigjeta”.
Grupi i ekspertëve niset dhe ne bashkë me ta. Para hyrjes për në banesën ku jetojnë personat e dyshuar, mjekët shtojnë numrin e maskave dhe dorezave sipas protokollit të masave mbrojtëse.
Tamponi merret në pak minuta. Personat e dyshuar këshillohen të qëndrojnë të izoluar në banesë deri në daljen e rezultatit. Në rast se testi del pozitiv, hetohet e gjithë familja dhe personat e kontaktit.
Menjëherë pas marrjes së tamponit dhe sapo kanë zbritur nga banesa e rastit të dyshuar, epidemiologët heqin veshjet mbrojtëse sipas një rregulli të caktuar. I vendosin në një qese për t’i eleminuar përmes djegies.
Tamponët dërgohen në laboratorin e virologjisë, ku, pas pas 8 orësh, dalin rezultatet. Ndërsa epidemiologët nisen në vatra të tjera, për të hetuar rastet e reja.
Ndërkohë, në Tiranë, numrin më të madh të të infektuarve e ka zona e Astirit, Freskut dhe ajo pranë Bulevardit te ri.