Burime nga agjencia Reuters bënë me dije se qeveria gjermane po planifikon ndalimin e udhëtimit për shtetasit jo-europianë në vend për shkak të pandemisë së koronavirusit deri më 31 gusht.
Sipas të dhënave kjo masë shtrënguese pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së qeverisë gjermane, por ajo mund të hiqet më herët për disa vende të treta që kanë numër të ulët të personave të prekur me koronavirus.
Gjermania po përgatitet të heqë ndalimin e udhëtimit për shtetet e Bashkimit Europian si dhe Britaninë, Islandën, Norvegjinë, Liechtenstein dhe Zvicrën më 15 qershor për sa kohë në këto vende nuk do të ketë ndalim udhëtimi apo rikthim të masave shtrënguese në shkallë të gjerë.
Ministri i Jashtëm, Heiko Mass tha se shtetasve gjermanë do t’iu kërkohet të mos udhëtojnë për në Britani për sa kohë që për udhëtimet jo të nevojshme ky vend ka vendosur një periudhë karantinimi prej 14 ditësh. /A2