Këshilli i BE do të azhurnojë listën e tij të vendeve të treta epidemiologjikisht të sigurta, duke larguar edhe Serbinë dhe Malin e Zi, që e fituan të drejtën e lëvizjes më 1 korik, për shkak të një rritje të ditëve të fundit, të rasteve të COVID-19, në të dy vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria do të mbetet sërish, të paktën edhe për dy javë jashtë listës së vendeve të treta me të cilat Bashkimi Evropian ka rihapur kufijtë e jashtëm më 1 korrik.
Diplomatët e BE thanë se Këshilli për 15 ditët e mbetura të korrikut ka vendosur të mos shtojë asnjë vend të ri në listë, duke marrë parasysh se situata epidemiologjike në këto vende nuk është e sigurt.
Të njëjtat burime konfirmuan se udhëtimi nga Shtetet e Bashkuara nuk ishte pjesë e diskutimeve, kryesisht për shkak të numrit në rritje të rasteve me Koronavirus në të gjithë SHBA.
“Diplomatët e BE-së miratuan të martën një propozim nga Gjermania, e cila mban presidencën e rradhës në BE, për të përjashtuar edhe Serbinë dhe Malin e Zi nga lëvizja në BE, për shkak të përhapjes së infeksioneve,” thanë zyrtarët.
Aktualisht, numri i rasteve të zbuluara në Serbi është 19.021, prej nga ku 709 kanë humbur jeten, dhe 4574 raste janë aktive, shifra edhe në rritje, madje shumë më të larta se në Shqipëri.
Në Mal të Zi janë regjistruar 1.287 raste deri më tani, me 24 humbje jete dhe 933 janë aktualisht aktivë.
Ndërsa ekzistonte mundësia e heqjes edhe të Algjerisë dhe Marokut nga listat, siç propozohej nga disa vende të BE-së, shumica ishin kundër, duke theksuar se numri i infeksioneve në këto vende mbetet i ulët.
Lista e azhurnuar me 13 vendet e mbetura do të shpallet brenda ditëve në vijim. Lista megjithatë është një rekomandim, sepse varet nga BE dhe vendet anëtare të Shengenit, të cilat mund ta zbatojnë plotësisht ose pjesërisht atë, madje edhe mund ta refuzojnë zbatiminsi siç mka bërë Hungaria deri më tani.
Të 13 vendet që mbeten në listën e BE janë si më poshtë: Algjeria, Australia, Kanadaja, Kina, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji.
Kështu, për momentin, shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm, me një mjet identifikimi, dhe pa paraqitur testin e Covid, vetëm drejt Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Turqisë.
Për lëvizjen drejt BE-së, pritet të zyrtarizohet vendimi penalizues, që do t’i lërë jo vetëm shqiptarët në pritje edhe për 15 ditë të tjera, deri më 1 gusht, por fat të njëjtë do të kenë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vendi ynë, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja Hercegovina prej 1 korrikut u vlerësuan se nuk përmbushin kriterin kryesor të menaxhimit të pandemisë COVID-19, që ka të bëjë me numrin e infektimeve për çdo 100.000 banorë.
Ky numër duhet t’i korrespondojë nivelit mesatar evropian, që është 16 raste infektimi për 100 mijë banorë.
Por veç kësaj, disa vende të BE-së si Austria, kanë paralajmëruar bllokim edhe të fluturimeve ajrore, me Shqipërinë dhe vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor, të prekura nga koronavirusi.