Mbarimi i festave të fundvitit rikthen masat e tjera kufizuese për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Nga 5 janari, lëvizjet e qytetarëve, aktivitetet e ndryshme dhe bizneset do të mbyllen 2 orë më vonë se në periudhën gjatë festave.
Kopshtet dhe çerdhet i rikthehen aktivitetit të tyre, ndërsa universitetet rifillojnë mësimin online.
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të rikthehen në klasa, më 11 janar me mësimin e alternuar. Shefja e survejancës epidemiologjike, Eugena Tomini, tregon për A2 se situata aktuale është e qëndrueshme, por nuk është aspak optimiste për javët në vijim.
Një rritje e mundshme e rasteve, sipas Tominit, pritet të ndodhë pas 2 apo 3 javësh, për shkak të festimeve dhe grumbullimeve të qytetarëve në zona të caktuara të vendit.
“Pavarësisht rekomandimeve të strukturave shëndetësore, grumbullime ka pasur dhe parashikimet shohin një trend në rritje të rasteve me COVID. Sidoqoftë, mbetemi në kuadrin e parashikimeve, për të vlerësuar situatë në mënyrë dinamike”, deklaroi Tomini.
Edhe pse 2020-n e lamë pas, koronavirusi nuk ka ikur. Përfaqësuesja e komitetit të ekspertëve iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë masat mbrojtëse.