Ministria merr vendimin e fundit per provimet nga klasat e pestë, klasa IX, matura e deri në aplikimet për universitet

Afrimi i fundit të vitit shkollor shoqërohet me provime e testime për disa nivele. Më 23 maj është data kur nxënësit e klasave të pesta do t’i nënshtrohen provimit kombëtar, i cili është një test nga ana e Ministrisë së Arsimit për të matur nivelin e analfabetizmit në shkallë vendi. Data u caktua në muajin e kaluar por u bë publike ditën e djeshme në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Testi do të zgjasë 1 orë e 30 minuta dhe do të nisë në orën 10:00. Pas përfundimit të testit, nxënësit e këtyre klasave nuk do të zhvillojnë më mësim.

Provimet:

Dijet e marra në pesë vitet e para në tri lëndët kyçe: Gjuhë Shqipe, Matematikë e Dituri Natyre, nxënësit do t’i tregojnë në testin e ndërthurur që nis në orën 10:00 e përfundon në 11:30. Sipas udhëzimit, nxënësit duhet të paraqiten një orë më përpara në qendrën e caktuar për zhvillimin e testit. Për rezultate gjithëpërfshirëse, do të hartohen teste të veçanta për kategori të caktuara.

Rezultatet e testeve merren pas korrigjimit nga vlerësuesit dhe deri më tani nuk janë bërë publike asnjëherë. Ato shërbejnë më tepër për Ministrinë, në hartimin e politikave arsimore. Duke parë boshllëqet që shfaqin nxënësit në disa tematika të caktuara do të mundësojnë ndryshime në kurrikula, aty ku është e nevojshme.

Matja e rezultateve të të nxënit monitoron cilësinë e arsimit, por edhe atë të vetë shkollës. Informacioni është i organizuar në mënyrë të tillë që mundëson jo vetëm njohjen e arritjeve të nxënësve në nivel DAR/ ZA, por njëkohësisht edhe krahasimin mes tyre. Për ata që duan të punojnë paraprakisht, në faqen zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Prauniversitar mund të gjenden modele të gatshme testesh, me të cilat mund të punohet me nxënësit.

Provimet e klasës IX, në të njëjtën periudhë me maturën

Ministria e Arsimit ka përcaktuar datat e provimeve për klasën e nëntë apo minimaturën, e cila për të parin vit çuditërisht do të mbahet në të njëjtën periudhë me ato të maturës. Pra, nëse sezoni i maturës zgjat nga 9 deri në 24 qershor, për klasën e nëntë sezoni nis në datën 20 e përfundon deri në 29 qershor. Duke qenë se shkollat 9-vjeçare po ashtu edhe ato të mesme përdoren si ambiente provimi për maturantët, MAS-i është kujdesur që të përfundojë cikli 9-vjeçar dhe po ashtu data të mos përkojë nga një provim me tjetrin.

Këto, jo vetëm në respekt të distancës fizike për shkak të COVID-19, por edhe në kuadër të masave të sigurisë që duhet të zbatohen për të shmangur kopjimet. Nëse gjuha shqipe jepet në datën 20, matematika është paracaktuar tri ditë më vonë, ndërsa gjuha e huaj në 29 qershor. Të rinjtë mund të zgjedhin një nga katër alternativat si gjuhë e huaj: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. ky është vetëm sesioni i parë. Për ngelësit do të ketë një afat të dytë në vjeshtë. Vetëm me kalimin me sukses të këtyre provimeve, ata mund të regjistrohen në shkollën e mesme.

Aplikimi në universitet:

Maturantët që nuk kanë aplikuar në kohë me formularët A1/A1Z kanë një mundësi të re për t’u futur në garën që i çon drejt universitetit. Qendra e shërbimeve arsimore hap portalin e maturës shtetërore në fillim të muajit maj, në datat 4,5 dhe 6. Maturantët e rinj e të vjetër mund të plotësojnë formularët respektivë nga ora 08:00-16:00.

Hapi i parë është plotësimi i formularit A1/A1Z në të cilin ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet. Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht tek “e-Albania” nëpërmjet këtij shërbimi dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti/kandidati.

Pas plotësimit të formularit bëhet korrigjimi i pasaktësive, sipas një formulari të dërguar në shkollë nga QSHA-ja për këtë qëllim. Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin dhe printimin e formularit në shkollë. Deri në fund të procesit, vitet e fundit QSHA-ja hap herë pas here portalin, duke iu dhënë mundësi shumë të rinjve të aplikojnë.

Në formular përcaktohet gjuha e huaj dhe nëse maturanti ka ndërmend të studiojë jashtë, me qëllim nxjerrjen në kohë të diplomës. Nga ana tjetër, përcaktohet edhe lënda e vetme me zgjedhje që ata do të japin në sezonin e provimeve në muajin qershor. Kjo e fundit duhet të jetë në përshtatje me profilin që të rinjtë synojnë të ndjekin më tej. Kështu, këshillohet që përpara se të hedhin këtë hap, të rinjtë të kenë studiuar kriteret për profilet e preferuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *