Mjekët thanë se ka vdekur, pas 50 vitesh takon nënen e tij biologjike “Je e falur për çdo gjë”

Rubrika “Ka një Mesazh për ty” na çoi sot në tre qytete të ndryshme. Në dyert e rubrikës trokiti një zonjë me emrin Edlira e cila rrëfeu një histori familjare të dhimbshme dhe misterioze.

Ajo beson se ka gjetur vëllain e saj për të cilin mjekët thanë se ka vdekur 50 vite më parë. Por si? Dhe këtu del në skenë Kleidi, i cili ka të njëjtën moshë të përafërt me vëllain e Edlirës dhe i lindur në të njëjtin qytet ku jetojnë prindërit e Edlirës, Drita dhe Arqileja. Ai është në kërkim të nënës biologjike.

Ndërkohë disa dokumente të tjera na çojnë drejt qytetit të Beratit ku një zonjë me emrin Shpresa është në kërkim të djalit të saj që ka braktisur vite më parë.

Pra 3 qytete, 4 histori, 5 personazhe dhe vetëm 1 e vërtetë e madhe që del përmes testit të ADN-së. Dhe për këtë “Ka një Mesazh Për Ty” ka trokitur në dyert e Forensics Center Albania dhe zoti Xhevahir Çeloaliaj ndodhej me ekipin e tij për të kryer testet e ADN-së.

Testeve iu nënshtruan Kleidi, Drita dhe Shpresa. Çeloaliaj sqaroi se pse u zgjodhën këta tre persona që t’u merrej analiza.

Ardit Gjebrea: I morëm kampionë zonjës Drita, sepse përputhshmëria më e mirë është mes nënës dhe djalit apo jo?

Xhevahir Çeloaliaj: Po, është analizë tepër përcaktuese, analiza e përcaktimit të lidhjes nënë-fëmijë, apo edhe baba-fëmijë. Prind-fëmijë domethënë.

Ardit Gjebrea: Pastaj vazhdojnë motra, vëllezër?

Xhevahir Çeloaliaj: Pastaj vazhdojnë lidhjet e tjera vertikale, gjyshër, nipër, ose horizontale, xhaxhallarë, fëmijë xhaxhallarësh, hallash etj.

Vetë Çeloaliaj na bëri të ditur rezultatin.

Xhevahir Çeloaliaj: Paraprakisht do doja të thoja që rezultatet janë të pasqyruara në aktet e ekspertimit. Aktet e ekspertimit përkatëse janë në këtë zarf të adresuar për ju posaçërisht, si drejtues i emisionit dhe si pjesë që na keni thërritur, na keni vënë në lëvizje për këtë proces. Këto janë për ju. Do ta themi rezultatin me fjalë të thjeshta.

Ardit Gjebrea: Këto janë për ty. Unë po t’i jap ty që t’i kesh, por pa i hapur. Pastaj do i studiosh. Kemi fjalën e zotit Xhevahir.

Xhevahir Çeloaliaj: Në përfundim të analizave të kryera rezulton se nëna biologjike e Kleidit është zonja Shpresa Dervishaj.

Zonja Shpresa e priti këtë rezultat mes lotësh dhe përqafoi të birin.

Shpresa: Më fal se ashtu ishin kushtet.

Kleidi: Je e falur për çdo gjë.

Kleidi ka edhe një motër, e cila jeton në Angli.

Ardit Gjebrea: Ke një motër biologjike. Ke një motër të adoptuar. Ke një nënë biologjike. T’u mbush shtëpia plot.

Shpresa: Dhe nuk të bëj kurrë keq. As s’të kam bërë e as të bëj. Të jesh i lumtur dhe falenderoj shumë atë nënën e dytë që të ka rritur. E falenderoj shumë shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *