PYETJE &PËRGJIHJE
PËR DIABETIN
Pyetje : Çfarë faktorësh ndikojnë në shfaqjen e diabetit?
Pyetja është e thjeshtë, por përgjigjja e vështirë. Në shfaqjen e diabetit ndikojnë shumë faktorë, përfshi edhe ato gjenetikë.
Në organizmin e disa njerëzve, gjenet ndikojnë si në shpenzimin e energjisë me ritëm më të ulët, ashtu edhe në dëshirën për të ngrënë shumë, duke rritur mundësinë për mbipeshë dhe obezitet, duke u bërë kështu shkak për shfaqjen e diabetit tek të rriturit (tipi 2). Faktorët gjenetikë janë shumë të rëndësishëm si në Tipin 1(diabeti te fëmijët dhe të rinjtë) dhe në Tipin 2 të diabetit, por të vetëm nuk mjaftojnë për shfaqen e sëmundjes. Me këta faktorë, që përbëjnë predispozicionin gjenetik, duhet të veprojnë edhe faktorë të ambientit. Kështu, nëse një person që ka predispozicion gjenetik për diabet Tip 2, konsumon në mënyrë të vazhdueshme ushqime të pasur me yndyra, mund të bëhet obez (dhjamoset) duke rritur mundësinë për t’u bërë me diabet. Nga ana tjetër, i njëjti person, nëse konsumon më pak yndyrë dhe kryen aktivitet të rregullt fizik, mund ta parandalojë diabetin.
Ju nuk mund t’i zgjidhni gjenet tuaja, por sigurisht mund të zgjidhni çfarë duhet të hani, apo nëse do bëni ose jo ushtrime fizike.
Afërsisht 90 % e njerëzve me diabet Tip 2 kanë të afërm me diabet.
Pyetje : Pse është përhapur kaq shumë diabeti?
Është provuar nga shumë studime se dekadat e fundit diabeti është shtuar në mbarë botën me përmasa dramatike, dukë u bërë një nga problemet shëndetësore më të rëndësishme të shekullit. Bëhet fjalë kryesisht për diabetin Tip 2, (diabeti i të rriturve) që në vendet e zhvilluara përbën 85 % të rasteve me diabet, ndërsa në vendet në zhvillim 95-100 %.
Janë faktorët demografikë, socialë dhe kulturorë që ndikojnë në përhapjen e diabetit. Kryesore është ndryshimi i stilit të jetesës, ushqyerja jo e shëndetshme dhe pakësimi i aktivitetit fizik. Ndikim ka dhe shtimi i popullsisë, zgjatja e jetës dhe plakja e popullsisë, si dhe urbanizimi. Diabeti prek më shpesh qytetarët se fshatarët.
Me ritme të shpejta diabeti po shtohet vitet e fundit dhe në Shqipëri.
Pyetje : Si vihet diagnoza e diabetit?
Meqenëse diagnoza është e përjetshme dhe ka një ndikim të rëndësishëm mbi stilin e mëtejshëm të jetesës, vënia e saj kërkon kujdes të veçantë.
Me gjithë praninë e shenjave tipike, diabeti duhet të diagnostikohet vetëm nëpërmjet matjes laboratorike të sheqerit në gjak. Kur dyshohet nga shenjat klasike: etje e theksuar, urinim i shtuar, rënie në peshë etj., matet niveli sheqerit në gjak dhe vihet diagnoza. Po ashtu edhe te njerëzit me diabet Tip 2 pa shenja, matja e glicemisë mjafton për të vënë diagnozën.
Diagnoza mund të vihet, megjithëse jo gjithmonë, edhe nga prania e sheqerit në urinë (glukozuria).
Pyetje : Rastësisht bëra analizat dhe dola me diabet, nuk kam asnjë shenjë, si shpjegohet? Çfarë duhet të bëj për ta zbuluar diabetin në kohë?
Koha e zbulimit të diabetit Tip 2 zakonisht nuk është koha e fillimit të tij. Miliona njerëz, në mbarë botën, që kanë diabet nuk e dinë, mbasi simptomat zhvillohen aq ngadalë e gradualisht, sa njerëzit shpesh nuk i dallojnë. Ndërsa disa njerëz nuk kanë fare simptoma.
Për kalimin nga një nivel normal i sheqerit në gjak, në hiperglicemi, duhen shumë muaj dhe vite. Gjatë periudhës pa shenja, që mund të zgjasë 7-12 vjet, diabeti mund të zbulohet rastësisht pas një analize rutinë.
Ndërkohë diabeti i padiagnostikuar dëmton në heshtje. Prandaj dhe shpesh te të sapodiagnostikuarit takohen dëmtime serioze në organe të ndryshme, sidomos në sy. Madje, mund të jenë simptomat e këtyre dëmtime ato që mund të bëhen shkak për zbulimin e diabetit.
Për ta zbuluar sa më herët, diabetin duhet ta kërkosh edhe kur nuk ke shenja. Për këtë rekomandohet:
•Matja e glicemisë çdo 3 vjet te të gjithë njerëzit mbi 45 vjeç (duke pasur parasysh se duhen të paktën 3 vjet nga fillimi i diabetit që të shfaqen komplikime);
•Matja e glicemisë çdo 3 vjet edhe te njerëzit nën 45 vjeç, por që:
– janë të dhjamosur (obezë),
– kanë të afërm me diabet,
– kanë pasur diabet gjatë barrës ose kanë lindur fëmijë me peshë mbi 4 kg,
– kanë yndyra të larta në gjak,
– kanë tensionin e gjakut 140/90 mm/Hg ose më të lartë,
– kanë tolerancën e glukozës esëll ose mbas ngarkesës të dëmtuar,
– kanë sëmundje ishemike të zemrës ose trurit,
– bëjnë infeksione të shpeshta të lëkurës,
– përdorin kortizonikë ose diuretikë në doza të larta.
Pyetje : Në ç’nivel të sheqerit shfaqen simptomat e diabetit?
Nuk ka një nivel të caktuar të sheqerit në të cilin shfaqen simptomat. Ngritja e lehtë shkakton pak simptoma, ndërsa një ngritje e qëndrueshme ndërmjet vlerave 220-270 mg/dl, zakonisht shoqërohet me simptoma të qarta, madje dhe nivele më të ulëta mund të shoqërohen shqetësime të lehta si dobësi etj.
Pyetje : Kur një person konsiderohet me diabet?
Deri pak vite më parë konsiderohej me diabet një person me glicemi esëll mbi 140 mg/dl dhe 2 orë mbas ngrënies, mbi 200 mg/dl. Sot kjo është modifikuar.
Konsiderohet me diabet një person:
•Kur ka simptomat klasike të diabetit (etje të theksuar, urinim të shtuar, rënie në peshë) dhe glicemi mbi 200 mg/dl;
•Kur glicemia esëll është mbi 126 mg/dl (esëll kuptojmë mosushqyerje të paktën 8 orë para matjes);
•Kur niveli i gliemisë 2 orë pas ngarkesës me glukozë, është 200 mg/dl ose më tepër.
Lajmet me interesante nga vendi dhe bota