Ndihma turke për të prekurit nga tërmeti pritet të konkretizohet në fund të muajit janarit, me ndërtimin e 500 banesave të reja.
Lajmin e madh e dha vete Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit turk Murat Kurum në Tiranë.
“500 banesat nëse i fillojmë në fund të janarit në përshtatje me kulturën tuaj të jetesës, duam që brenda 6 muajve ta përfundojmë këtë projekt. Në verë t’ua dorëzojmë vëllezërve shqiptarë çelësat në duar”, deklaroi Kurum.
Ndërsa Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj shtoi se në Thumanë nuk do të ketë vetëm banesa të reja. “Do jenë të shoqëruar me ambiente komerciale dhe publike të rëndësishme, si shkolla dhe mundësisht godina e bashkisë”, deklaroi Ahmetaj.
Pranvera e 2021 shihet nga qeveria si një afat për përfundimin e lagjeve te reja. Javën e ardhshme, tha Ahmetaj, do të bëhet funksionale platforma online pranë çdo bashkie për të gjitha shërbimet ndaj atyre që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.