Nje 50-vjeçare ka ndërruar jetë një natë më parë në spitalin e Korçës. Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini në një deklaratë për mediat, tha se ky ishte një rast kompleks me edem pulmonare dhe pas analizës ka rezultuar se përveç diabetit vuajte edhe nga gripi A. “Rasti i Korces rast kompleks, me edem pulmonare dhe ka rezultuar grip tipi A. Per coronavirusin doli negativ”.
Tomini tha se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar edhe 8 raste të reja pranë IShP, duke e çuar numrin e tyre në 50. Të gjithë këto raste kanë rezultuar negativë. Ajo deklaroi se në 24 orët e fundit në të gjitha pika kufitare kanë hyrë 18,030 udhëtarë të cilët janë kontrolluar nga strukturat e vendosura në pikat kufitare.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 8 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të testuara ka shkuar në 50. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit te ri. Në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 18,030 udhëtarë, të cilët janë kontrolluar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës.
Në 24 orët e fundit në nr. 127 ka pasur 1472 thirrje, nga të
cilat 32 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale
respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.
Ministria e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për udhëtarët që kanë udhëtuar nga
rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë pasur kontakte me
persona të sëmure apo të dyshuar për COVID19 të vetëkarantinohen për
një periudhë 14 ditore.
Si dhe rekomandon qytetaret që kanë udhëtuar
në vendet e prekura dhe kanë shenja të infeksionit viral respirator të
telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si duhet të veprojnë
mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore”,u shpreh Tomini.