Mjeku i njohur infeksionist i QSUT Pëllumb Pipero, në një lidhje live më “ABC News”, foli për situatën e krijuar dhe mënyrën si mund të parandalohet koronavirusi. Pipero u shpreh se ky virus ka shumë të panjohura, prandaj e vetmja mënyrë është parandalimi në kohë.
“Ky virus ka pasur shumë të panjohura. Rastet e para ashtu si në botë, vijnë pa lajmëruar dhe duke mos pasur ansjë informacion ne ekspozohemi edhe pse epidemia ka qenë në qendër të vëmndjes tonë.
As ne nuk i shpëtuam dot kësaj ndodhie, ne jemi të ekspozuarit e parë jemi heronjtë e parë shpesh edhe dëshmorët e parë. Sa i takon dy mjekëve të konfirmuar pozitiv, gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. Janë të vetëizoluar”, u shpreh Pipero.
Të gjithë personat që kanë pasur kontakt dhe kanë dyshime, të vetëkarantinohet pasi sipas mjekut kjo është e vetmja mënyrë për ta parandaluar epideminë.
Sa mendon se është numri real i të prekurve?
Pipero: Nëse i referohemi studimeve e kam thënë se mbas çdo rasti të konfirmuar fshihen 10 raste apo 15 raste të tjera, të sigurta që janë. Në kushtet që jemi numri minimal i personave të prekur mendoj që janë mbi 400. Numrat janë statistikë dhe statistikat shërbejnë për tu studiuar më pas.
Por ajo që qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar për ta përballuar me sa më pak humbje këtë epidemi. E gjithë vëmendja jonë është për ta shtrirë në kohë epideminë, jo për ta ndaluar, bëhet fjalë për ta parandaluar dhe për ta bërë të përballueshme. Të gjithë e pamë se asnjë vend në botë nuk i ka kapacitetet për ta përballuar këtë epidemi.
E përballojmë apo rrezikojmë kolapsin e Italisë?
Pipero: Besoj që do ta përballojmë nëse qytetarët bashkëpunojnë me ne.