Mbi 650 mijë pensionistë do të përfitojnë bonusin prej 5 mijë lekësh në fund të këtij viti.
Këtë gje e ka konfirmuar vetë kreu i qeveriseEdi Rama sipas të cilit qeveria do të vërë në dispozicion 34 milionë dollarë për mbështetjen e kësaj kategorie, ndërsa shtoi se qeveria po përgatit aktin normativ të radhës për buxhetin, ndërhyrja e katërt që i bëhet draftit për këtë vit.
“Ne po përgatisim aktin normativ dhe pavarësisht gjithë këtyre pengesave të befasishme me të cilët na ka ndeshur tërmeti dhe pandemia ne do vendosim 34 milionë dollar për pensionistët për vitin e ri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë është ndalur edhe te prioritetet e buxhetit 2021, draft i kthyer për rishqyrtim në Kuvend vetëm pak ditë më parë nga Presidenti Meta. Buxheti i vitit të ardhshëm shtoi ai, adreson të gjitha nevojat për kapërcimin e emergjencës shëndetësore dhe mbështet të gjitha shtresat në nevojë.
“Është fakt dhe jo opinon që buxheti 2021 garanton një volum të konsiderueshëm mbështetje financiare për ata që janë më në nevojë. Familjet në ndihmë ekonomike do të marrin dyfishin deri në mbyllje të kësaj lufte. Mjekët, infermierët dhe bluzat e bardha në tërësi do përfitojnë rritje page. Do vazhdojmë edhe me rindërtimin, do kthejmë të gjithë njerëzit në shtëpi”, tha Rama.
Përballimi i pandemisë, vazhdimi i rindërtimit dhe rimëkëmbja e ekonomisë janë edhe tre prioritetet kryesore të qeverisë në buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili parashikon një rritje ekonomike në nivelin e 5.5%.