Sinoptikania e Meteoalb Lajda Porja paralajmëron përkeqësim të motit nga e merta, ku krahas reshjeve të shiut, do të ketë stuhi e gjithashtu një det të trazuar. Sipas saj nëntori do jetë i lagësht pasi nuk do mungojnë reshjet e shiut.
“Dita e sotme dhe fundjava do të jetë mot i kthjellët, sot pritet deri në 25 gradë edhe nesër do të jemi në këto vlera. Të dielën do të ketë ndryshime, do të jemi në vlerën 23 gradë, megjithatë sërish do të jetë ngrohtë.
Mëngjeset janë të freskëta, ndërsa vlerat maksimale janë rreth 17 gradë, në zonat malore dhe 25 gradë në zonat e ulëta. Dita e hënë do të jetë me vranësira, ndërsa reshjet i presim ditën e martë.
Do të kemi dhe stuhi ere këtë ditë dhe një det shumë të trazuar. E marta do të jetë ditë vjeshte nga ato tipiket. Nuk është se do presim shumë ditë me diell apo me reshje. Do të jetë i alternuar, gjatë nëntorit do i kemi të pranishme reshjet”, u shpreh sinoptikania.
Sinoptikania Porja tha më tej, se Shqipëria, për fat të mirë, nuk preket nga situata e ndërlikuar e motit në Italinë e Jugut, ku janë regjistruar përmbytje të shumta.
“Një pjesë e mirë e motit në Shqipëri ndikohet nga Italia. Ajo që ka përfshirë Italinë është stuhi tropikale. Edhe pse ka pasur situatë problematike. Nuk është se do të kemi probleme pasi situata nuk vjen në Shqipëri”, përfundoi Porja.