Tiranë – Duke nisur nga muaji prill, paga minimale për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore do të jetë 32 mijë lekë dhe maksimale 141,133 lekë, nga 132,312 lekë që ishte më parë, sipas Ministrisë së Financave.
Paga maksimale është rritur me 6.7% me të njëjtën përqindje që u rrit edhe paga minimale, që nga 1 prilli është 32 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që ishte më parë.
Rritja e pagës maksimale çon në pagesa më të larta të sigurimeve, si nga punëdhënësi, ashtu dhe nga punëmarrësi.
Për pagën minimale efekti shtesë mujore është rreth 500 lekë. Për pagat që janë mbi 140 mijë lekë në muaj, shuma shtesë që do të paguhet është 2,161 lekë në muaj, nga e cila 1,323 lekë nga punëdhënësi dhe 838 lekë nga punëmarrësi. Në total, sigurimet shoqërore për pagat 141 mijë lekë e më lart do të jenë 34.6 mijë lekë, me një rritje prej 6.7%.
Njëkohësisht nga 1 prilli ka hyrë në fuqi dhe skema e re e tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi. Në bazë të këtyre ndryshimeve, tatimi maksimal prej 23% do të zbatohet për pagat mbi 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që ishte kufiri deri tani.