Ka ndërruar jetë sheiku Khalifa bin Zayed Al Nahyan, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ai ndërroi jetë të premten në moshën 73-vjeçare.
Ministria e Çështjeve Presidenciale tha se vendi shpallte 40 ditë zie kombëtare, duke nisur nga sot. Ndërsa administrata lokale dhe federale nuk do të punojnë për tri ditë.
Sheiku Khalifa mbante një rol kryesisht ceremonial, që prej pësimit të një infarkti dhe nënshtrimit ndaj një operacioni në vitin 2014. Vëllai i tij, dhe Princi i Kurorës së Abu Dabit, Sheikh Mohammed bin Zayed, është parë gjerësisht si udhëheqësi “de facto” i Emirateve, i cili merrej edhe me punët e përditshme të vendit.
Sheiku Khalifa u shpall presidenti i dytë i vendit në vitin 2004, duke pasuar në këtë post babain e tij dhe themeluesin e shtetit, Sheikun Zayed al Nahyan. I lindur në vitin 1948, Khalifa ishte djali i madh i Sheikut Zayed. Para rolit të presidentit ka qenë Princi i Kurorës së Abu Dabit dhe kryesonte Këshillin Suprem të Naftës në vend.
Ai gjithashtu ishte drejtuesi i Fondit të Investimeve të Abu Dabit, një prej fondeve më të mëdhenj në botë që menaxhon qindra miliarda dollarë pasuri në asete të ndryshme. Një prej godinave më të larta në botë, Burj Khalifa, mban emrin e tij, ndërsa mbështeti fuqimisht blerjen e klubit Manchester City, pasi ishte tifoz i zjarrtë futbolli.