News

Kush është dyshja që përlau ndihmat, dalin përgjimet nga policia, cfarë tha pedagogia në telefon

Kush është dyshja që përlau ndihmat, dalin përgjimet nga policia, cfarë tha pedagogia në telefon

Shef i seksionit të Rendit pranë komisariatit të Rinasit Altin Zekaj dhe bashkëshortja e tij Valbona Zekaj, pedagoge tek Akademia e Mbrojtjes, janë mes të arestuarve nga Policia pas një video që qarkulloi në rrjetet sociale, që tregonte disa persona që vidhnin ndihmat e mbledhura për banorët e prekur dhe të dëmtuar nga tërmeti i të martës së 26 nëntorit.



Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat njoftoi një ditë më parë arrestimin e tyre dhe një zjarrfikësi që akuzohen se kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme pakosh ushqimore dhe 7 batanije.

18 pako me ushqime të një fondacioni që i kishte përgatitur për familjet në nevojë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mëson Panorama.

Por si arriti policia të gjente se kush i kishte vjedhur ndihmat.

Mes të arrestuarve është edhe zjarrfikësi Arben Taulla dhe komandanti i skuadrës në seksionin e rendit në komisariatin e Rinasit, Ervin Haxhillari. Ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me policinë duke treguar çfarë kishte ndodhur.

Nga hetimet Panorama ka mësuar se ishte pikërisht pedagogia Valbona Zekaj, e cila po hetohet në gjendje të lirë, ajo që siguronte ushqimet me anë të një shoqes së saj dhe më pas ja jepte bashkëshortit të saj, i cili urdhëronte Ervin Haxhillarin t’i dërgonte pakot me ushqime në banesën e prindërve të Valbonës, ku jetonte dhe vëllai i saj zjarrfikës, Alban Taulla.

Ka qenë data 28 nëntor 2019 kur Shërbimet e Ankesave në Ministrinë e Brendshme morën informacion se disa persona me uniform policie po kryenin vjedhjen e ndihmave të dhuruara për banorët e prekur nga tërmeti.

Mësohet se gjithcka është zbuluar pas përgjimeve të pedagoges. Kur ajo ka mësuar për prezencën e policisë në banesën e prindërve të saj, Valbona i ka kërkuar ndihmë një shoqes së saj që të shkojë në banesë dhe të tërheqë pakot me ndihma dhe t’i dorëzojë tek njësia administrative nr. 3 në Tiranë.

KOMUNIKIMI I PERGJUAR

Valbona Zekaj: “…një mikesha ime nga Kosova më ka sjellë 20 pako me ndihma tek shtëpia e mamit tim, ku nga këto 10 pako do t’i çoj Altini në komisariatin e policisë Rinas dhe 10 pako janë për njësinë administrative nr.3 në Tiranë për fëmijët në nevojë. Të lutem a mund të shkosh t’i marrësh tek shtëpia e mamit tim sepse unë jam në Shkodër me Altinin dhe mamaja ime nuk ka mundësi që t’i sjelli…”.

E. N.:“…dakord, por e mira do ishte që t’i dërgosh tek pika e grumbullimit e të gjitha ndihmave…”./PANORAMA