Pas lajmit se Rusia ka zbuluar vaksinën kundër koronavirusit dhe reagimeve të ndryshme nga ana e studiuesve dhe ekspertëve në botë ajo është testuar në vetëm 38 njerëz dhe ka rezultuar se ka shumë efekte anësore.
Disa dokumente të zbuluar së fundmi nga Daily Mail japin detaje se vaksina që prezantoi presidenti rus Vladimir Putin, ka shkaktuar tek të vaksinuarit dhimbje, të vjella, këputje, etj. Në një nga dokumentet e dorëzuar për regjistrimin e vaksinës shkruhet se “nuk janë bërë studime klinike për të parë studiuar efektin epidemiologjik”, ndërkohë që Putin deklaroi më herët se ajo i kishte kaluar të gjitha testet e nevojshme.
Gjithashtu ka pikëpyetje në lidhje me aftësinë e vaksinës për të krijuar antitrupa të mjaftueshëm. Rusia tha se do të fillojë vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit në vjeshtë. Ndërkohë që lidhur me këto lajme ka reaguar edhe Organizata Botërore e Shëndetit. OBSH i bëri thirrje Rusisë që të ndjekë udhëzimet ndërkombëtare në prodhimin e vaksinës kundër infeksionit COVID-19.
Vaksina ruse nuk është në listën e OBSH-së me gjashtë vaksina që kanë arritur në fazën e tretë të provave klinike. Reagimi i OBSH-së erdhi pasi Presidenti Putin njoftoi se Ministria e Shëndetit e vendit të tij ka aprovuar vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit, duke shtuar se vajza e tij tashmë e ka marrë atë.