News

7 gjërat që më mungojnë tani që jetoj jashtë Shqiperise

7 gjërat që më mungojnë tani që jetoj jashtë Shqiperise

Nëse ka diçka që e bën botën kaq diverse dhe të jashtzakonshme në të njëjtën kohë, është fakti se sa të ndryshëm janë identitetet kombëtare dhe sa domethënie kanë ato për ne.



Dua të them se disa karakteristika “tipike shqiptare” që ne kemi, na shënjojnë gjithë jetën tonë, kudo ku vendosim të jetojmë, qoftë në Shqipëri apo jashtë saj.

Kur jetoja në Shqipëri, nuk e dija se përveç mungesës për familjen dhe njerzit e dashur do të më mungonin disa detaje në dukje të vogla, të cilat i kam marr për të mirëqena dikur dhe tashmë që jetoj jashtë vendit më mungojnë çdo çast.

Vendosa t’i ndaj me ju “mungesat” e mia, me besimin e plotë se kush jeton tashmë larg vendit, si unë, do të më kuptojë shumë mirë dhe me shpresën se të tjerët që ende vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri, t’i vlerësojnë siç duhet gjërat e vogla sepse janë ato që bëjnë diferencën.

MAMI DHE DASHURIA E SAJ PËR KANOTJERET

Të gjitha mamatë në botë janë të kujdesshme dhe shpesh kthehen në “alarm” për zgjimet e mëngjesit. Ama, askush si nënat shqiptare nuk i jep aq vlerë veshjes së kanotjeres. Sipas tyre, çdo e keqe në shëndet vjen veçse nga mos-veshja e kanotjeres.

Dhe ndonëse nuk e vesha kurrë sa isha në Shqipëri, këtu jetoj në një vend të ftohtë dhe do të doja shumë që qoftë për inerci, ta dëgjoja nga mami në mëngjes: “Priiiiit, mos dil pa kanotjere!!!”.

PREZENCA E KOMSHIUT QË TË LEHTËSON JETËN

Sa herë iknim me pushime apo në një vend ku do të qëndronim disa ditë, çelsin e shtëpisë e merrte komshiu më i besuar. Ai kontrollonte shtëpinë kur nuk ishim ne, lajmëronte për çdo gjë, riparonte ndonjë tub nëse çahej, ulte/ngrinte automate,

gjithçka më duhet të vr.as mendjen tani në momentin kur lë shtëpinë bosh. Kishte raste kur komshinjtë të bënin edhe punët e shtëpisë dhe të linin ndonjë ëmbëlsirë kur ktheheshe…

NËSE HARROJ DIÇKA NË SHTËPI, VJEN NË DESTINACION PËR 5 MINUTA

Iki në punë dhe harroj një dokument të rëndësishëm. Marr në telefon një xhaxhi taksistin e lagjies dhe brenda 5 minutave kishte identifikuar edhe raftin e shtëpisë ku kisha harruar dokumentin dhe e kishte sjellë në destinacion. Tani që jetoj jashtë vendit, nëse harroj diçka në shtëpi, epo, …bëj mirë të mos harroj!

FUTEM NË NJË VEND DHE DO TË NJOH PATJETËR DIKË

S’ka rëndësi ku shkon, në ndonjë institucion, kafe, restorant, bankë… kudo do të gjesh dikë për të takuar: kushëri, i afërt, mik apo thjesht dikush që e ke takuar një herë në jetë. Konsumon disa muhabete të vogla dhe vazhdon ditën tënde.

Duket acaruese dhe sikur kjo gjë që na ndodh si shqiptarë, prek privatësinë tonë në një mënyrë të jashtzakonshme. Tani që jetoj jashtë dhe nuk i intereson absolutisht askujt të më pyesi se çfarë bëj, më duket sikur jam shkëputur nga realiteti. Po, është shumë çlirim stresi kur flet dy fjalë me njerëz dhe kudo ku shkon, ndihesh si në shtëpi!

DIKUSH I AFËRT ËSHTË PATJETËR I GJINDSHËM PËR DIÇKA

Më nevojitet një kontakt me shkollën, kam tezen mësuese. Më nevojitet diçka në lidhje me media, kushërira ime është gazetare. Më duhet një informacion lidhur me një ilaç, xhaxhai është farmacist. Dua të rregulloj kondicionerin? Gjyshi ka një mikun e tij të besuar.

Me pak fjalë për çdo “hall” apo “pikëpyetje” është dikush i afërt që të zgjidh gjithçka. Po, shërbimet me klientin të instancave të ngjashme jasht shtetit janë shumë të sjellshëm dhe të durueshëm, por kurrë aq të shpejtë sa të afërmit e tu në Shqipëri kur i thua se ke nevojë për diçka…

PRODUKTET USHQIMORE BIO TË SIGURUARA NGA TË NJOHUR

E para, në Shqipëri ka ende ushqime BIO, por kjo është një temë tjetër. E dyta: të gjithë kemi dikë që na sjell gjalp pa hile, vaj ulliri pa hile, mish pa hile, mjalt “pa hile” etj, etj.

E di mirë që shumë herë, këto produkte mund të jenë “me shumë hile” por hej, gjithçka mbetet tek truri në fund të ditës. Vetëm ideja se e afërmja jonë nga fshati ka dërguar djath posaçërisht për ne, të zbukuron gjithë ditën! Mundësia që kjo të ndodhë jashtë Shqipërisë është, …s’është fare. Nuk ekziston.

MARR PARA KUR TAKOJ TË AFËRMIT

Ne shqiptarët e kemi shumë qejf dhënien e parave “kesh”. Kam ditëlindjen, marr “kesh”. Jam sëmurë, marr “kesh”. Kam një rast të veçantë, marr “kesh”. Thjesht i takoj rastësisht në rrugë ndonjë xhaxha, dajë apo të afërm, marr “kesh”.

Nuk ka rëndësi vlera, herë më pak apo herë më shumë, asgjë nuk e “blen” kënaqësinë që merr kur shton një kartmonedhë në kuletë, ashtu “kot”, pa u lodhur shumë.

Njerzit marrin e japin “kesh” dhe e shijojnë shumë këtë. Ndihen të lumtur kur japin dhe ndonëse duket si një gjest provincial, në fakt dhuron minuta lumturie. “Kesh” këtu ku jam? E para, nuk ka “kesh” fare. E dyta, s’të jep askush, asgjë…

Këto janë disa nga gjërat që i kam ditur si të zakonshme kur jetoja në Shqipëri dhe tani jua ndjej shumë mungesën. Me siguri, ju që jetoni jashtë vendit, mund të shtonit edhe shumë detaje të tjera në listë. Gjithsesi, mesazhi mbetet i njëjtë:

Gjërat që marrim për të mirëqena, qenkan në fakt shumë domethënëse dhe ato të mungojnë më shumë se çdo gjë. Nuk thonë kot, detajet në dukje të vogla kanë shumë vlerë!