Një humbje e madhe për artin shqiptar ne ditën e sotme, pasi këngëtarja e njohur Nexhmije Pagarusha është ndarë nga jeta.
E njohur si mbretëresha e këngës shqipe, Pagarusha ka gjetur vdekjen në moshën 86-vjeçare, si pasojë e komplikimeve shëndetësore.
Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, Kosovë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për tre vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.
Veprimtaria e saj muzikore është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Pagarusha ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.
Ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Në vitin 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.