Të shtunën në mbrëmje, Astrit Thaçi ishte personi i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan.
Gazetari i Abc News Aldo Kozarja ka siguruar videon e kamerave të sigurisë së Argjendarisë së shtetases A.B që ndodhej brenda në momentin e ngjarjes.
Siç duket nga pamjet e siguruara nga Abc News, Astrit Thaçi i veshur me xhup të zi, pantallona të zeza, atlete të bardha dhe një pulovër të kuqe, hyn si blerës normal në argjendari. Ai përshëndet pronaren e argjendarisë dhe i kërkon të provojë një unazë.
Pasi ka provuar disa, Thaçi nxjerr pistoletën nga brezi dhe i kërkon që të mos lëvizë, ndërsa ajo tenton të largohet. Pasi mendon se ka neutralizuar gruan, Thaçi fillon të marrë orenditë e arit që gjenden në banak duke i futur nëpër xhepa, por pikërisht këtu bën diçka që do t’i kushtojë shumë.
Ndërkohë që Astrit Thaçi fut bizhuteritë e arit në xhepa le në mëhyrë të pakujdesshme pistoletën në banak. Këtë rast e shfrytëzon shumë mirë gruaja, e cila ia merr pistoletën dhe largohet nga dyqani e ndjekur nga Astrit Thaçi me vrap.