Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria do të ketë gati të enjten, pas dy ditës, planin për të kompensuar të gjitha pagat e munguara të bizneseve që janë mbyllur dhe i kanë çuar punonjësit në shtëpi gjatë kësaj situate emergjente që vendi po kalon me koronavirusin.
“Ju lutem të gjithë atyre që janë në shtëpi pas mbylljes së aktivitetit ekonomik, të rrinë të qetë dhe bëjnë durim sepse të enjten do të kemi gati planin e garancisë financiare për kompensimin e pagave të munguara të çdo biznesi! Nuk do të vijë fundi i muajit pa pagën e gjithkujt ndër ju që qëndron në shtëpi si pasojë e mbylljes së biznesit ku punon! Durim ju lutem dhe besim që po punojmë papushim për të mos lënë asnjë vetëm në përballimin e pasojës financiare të mosvajtjes në punë!”, shkruan Rama.
Kompensimi i bizneseve për të gjtihë punonjësit që do të duhet të qëndrojnë në shtëpi, ishte një nga propozimet që Partia Demokratike i sugjeronte qeverisë.