Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të disa fotove para Spitalit Infektiv, ku familjarët e pacientëve të prekur nga COVID-19, ankohen se s’kanë marrë informacione për gjendjen e të afërmeve të tyre që prej 36 orësh.
Sipas Metës familjarët e qytetareve duhet të trajtohen denjësisht dhe të informohen për shëndetin e pacientëve.
Presidenti i ka quajtur si shqetësuese pamjet e grumbullimeve para godinës së Spitalit Infektiv, ku sipas tij për këtë situatë duhet reflektim i menjëhershëm.
“Familjarët e qytetarëve të prekur nga COVID-19 meritojnë të trajtohen denjësisht dhe të informohen me transparencë të plotë për shëndetin e të dashurve të tyre, të cilëve ju uroj shërim sa më të shpejtë.
Pamjet shqetësuese të publikuara sot në media për grumbullime të shumta në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë kërkojnë reflektim të menjëhershëm”, thekson Meta.
Më herët Gazeta SHQIP publikoi disa pamje ku qytetarët komunikojnë me mjekun Pëllumb Pipero.