Ministria e Shëndetësisë ka shkarkuar ditën e sotme nga detyra mjekën e fshatit Gradisht në Lushnje, e cila kundrejt pagesës lëshoi një certifikatë vaksinimi pa e kryer vaksinën kundër COVID-19.
Bëjmë me dije se rasti fillimisht është denoncuar në emisionin “Fiks Fare” ne Top Channel. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar Ministria e Shëndetësisë përveçse dënon rastin, ka urdhëruar gjithashtu edhe heqjen e licences per mjeken me iniciale E. N.
“Duke e konsideruar këtë akt, një veprim kriminal, shkelje të rëndë në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit publik të popullatës në situatën e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë do t’i kërkojë Urdhrit të Mjekut, heqjen e licensës së ushtrimit të profesionit për mjeken në fjalë.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë edhe masën e lirimit nga detyra të drejtorit të qendrës shëndetësore Gradisht, me inicialet A.Gj”, thuhet në njoftim zyrtar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Si ndodhi ngjarja
Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së martës një tjetër skandal në marrjen e Certifikatës së vaksinimt Covid -19, pa e kryer fare vaksinën. Çdo gjë brenda të gjithave rregullave përsa i përket hapave të ndjekur, por me përjashtim se vaksinën nuk e bën, por kundrejt 50 eurove pajisesh me certifikatë të rregullt.
Elona Naço mjeke familje pranë ambulancës të fshatit Gradisht Lushnje dhe njëkohësisht mjeke pediatre pranë pediatrisë së spitalit Lushnje bëri të mundur dhënien e një certifikate vaksinimi pa e kryer vaksinimin. Nga denoncimet e ardhura në redaksinë e Fiks Fare një gazetare paraqitet tek spitali Lushnje dhe kërkon të takojë mjeken Naço.
Ajo i tregon se aktualisht banon në Itali dhe kërkon të bëj vaksinën për të marr Green Pass-in që e mundëson të lëvizë pa probleme. Mjekja në oborrin e spitalit i thotë se nuk ka problem se ku banon apo se ku është e regjistruar, por po të ishte paraqitur para një dite do ta kishte vaksinuar me Pfizer, por i kishte refuzuar katër copë se nuk kishte patur kërkesa për vaksinim. Dhe meqë kjo vakzinë është në mungesë mjeka thotë se nuk e ka problem i rregullon të gjitha, vetëm se Pfizer duhet bërë në Lushnje e jo në Gradisht.
“Edhe po të kisha Astra s’ka problem por as ajo nuk më ndodhet për momentin, dje i ktheva katër copë Pfizer” shprehet mjekja. Ajo i pohon gazetares së Fiksit se në ambulancë ka vetëm vaksinën kineze Coronavac. Kur gazetarja i pohon se nuk ka problem ta bëj edhe atë, mjekja i lë takim në ambulancën Gradisht ditën e nesërme për të kryer vaksinimin.