Pas 10 vitesh, ish-futbollisti i ekipit të Fiorentinës në Itali, ka vendosur të heqë mjekrën.
Daniele Adani, tashmë një komentator sportiv mjaft i njohur, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka treguar edhe arsyen që e çoi në një vendim të tillë, dhe është vërtet prekëse.
Mesazhi i tij mallëngjyes ka përlotur italianët dhe jo vetëm.
Postimi i Adanit:
“Dhjetë vite më parë të bëra një premtim, ishte 2 janari i vitit 2012, ishe në atë shtrat atë mëngjes. Nuk flisje prej javësh, por sytë e tu thoshin ende shumë. Në realitet, thoshin gjithçka. Kishim kaluar Krishtlindjet e fundit bashkë, e dija që të mbeteshin vetëm pak orë. Ishe gati të dhuroje gjestin tënd të fundit të dashurisë.
Një moment, një lëvizje. Krahu yt që ngrihet, dora jote që vendoset në faqen time të pastër dhe të lëmuar. E përkëdhel tre herë. Nga buzët e tua lexoj ”Dani im, Dani im, Dani im”. Pastaj, e lodhur, kthehesh të pushosh. Fle. Do ta bëje përgjithmonë. Në atë moment bëra një premtim, paktin tonë të fshehtë. Askush nuk do të përkëdhelte më fytyrën time për dhjetë vitet e ardhshme, mjekra ime do të kishte izoluar, ruajtur, mbrojtur prekjen tënde të fundit të dashurisë. Sot ua tregoj të gjithëve paktin tonë, tregoj fytyrën time, saktësisht 10 vite më vonë.
Kjo nuk mjaftoi për të shuar dhimbjen që kam ndjerë dhe ndjej çdo ditë. Nuk është e mundur që të mbush boshllëkun që ke lënë, por falë dashurisë, mund të të ndjej brenda meje çdo moment dhe të të shoh kudo. Mund të flas me ty gjithmonë, çdo ditë, por sot desha të të thosha vetëm një gjë. E mbajta premtimin mami”.