Dyfishimi i testimeve/ Mjeku nxjerr zbuluar MSH: Po dezinformohet publiku

    0
    40

    Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se janë regjistruar 155 raste të reja me Covid-19, por ajo që bie në sy është dyfishimi i testimeve, 932 kundrejt 501 që ishin dje.

    Lidhur me këtë ka reaguar dhe eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, për të cilën thotë se kjo vjen për shkak se tashmë Ministria raporton përveç testeve të kryera në ISHP edhe testet e kryera në struktura private.

    Por sipas Dashos, raportimi i përbashkët i testeve të kryera në laboratorët publikë dhe privatë nuk ka asnjë vlerë shkencore.

    Testi që kryhet nga strukturat publike është test me indikacion klinik ose epidemiologjik, ndërsa ai nga strukturat private ka vlerë administrative.

    Ndaj ai shton se kjo duhet korrigjuar urgjentisht, të eleminohen lojrat me shifrat e Covid.

    “MOLLË DHE PORTOKALLE

    Kjo frazë ka hyrë prej kohësh në terminologjinë shkencore kur dikush përpiqet të krahasojë, të mbledhë apo të përpunojë të dhëna që vlerësojnë dy madhësi të ndryshme.

    I çuditur nga kërcimi i papritur në numrin e testeve ditore nga 501 një ditë më parë në 932 sot, sigurisht që pyeta dhe mora vesh se tashmë Ministria raporton përveç testeve të kryera në ISHP edhe testet e kryera në struktura private.

    Në raportimin e testeve të kryera si në shtet dhe në privat nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi i shërben transparencës. Problemi qëndron kur këto dy vlera raportohen të konsoliduara.

    Testi që kryhet nga strukturat publike është test me indikacion klinik ose epidemiologjik. Ai aplikohet kur personi dyshohet se mund të jetë i prekur nga COVID ose i infektuar nga SARS-CoV-2.

    Testi që kryhet nga strukturat private ka vlerë administrative. Një person që e vlerëson veten të shëndetshëm, paraqitet në spitalet apo laboratorët privatë për të marrë “vulën e shëndetit” që i lejon të udhëtojë lirisht në destinacione të caktuara.

    Testi “publik” bëhet falas dhe si i tillë nuk ka bias apo gabim. Testi privat ka bias drejt atyre që mund ta përballojnë tarifën prej 100 Euro.

    Testi publik ka shumë më tepër gjasa të zbulojë të sëmurë, kurse gjasat e testit privat për të zbuluar të sëmurë janë minimale.

    Raportimi i përbashkët i testeve të kryera në laboratorët publikë dhe privatë nuk ka asnjë vlerë shkencore. Në rastin më “të mirë”, ai tregon injorancë. Në rastin më të keq, është një përpjekje e hapur për të dizinformuar publikun dhe ekspertët kritikë me ministrinë dhe komitetin.

    NË SE INFORMACIONI I MËSIPËRM ËSHTË I SAKTË, AI DUHET KORRIGJUAR URGJENTISHT!

    SA MË PARË TË ELEMINOHEN LOJËRAT ME SHIFRAT E COVID, AQ MË MIRË DO TË JETË…”

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here