Nderroi jete nga tumori, shoku i ngushtë dhe noterja i marrin pasurinë

    0
    118

    Emisioni Stop në Tv Klan ka investiguar rastin e marrjes së pasurisë së një qytetari që ndërroi jetë nga tumori. Bëhet fjalë për Arian Vocin, pas vdekjes të së cilit, shoku i tij Ylli Selaj, në bashkëpunim me noteren Majlinda Lleshi, i marrin makinën e shtëpinë, me pretendimin se i ndjeri kishte borxhe.

    Arian Voci kërkonte të shiste shtëpinë dhe makinën në mënyrë që të kurohej në Gjermani për sëmundjen e rëndë nga e cila vuante dhe për këtë do ta ndihmonte shoku i tij.

    Rasti është denoncuar nga bashkëjetuesja e të ndjerit Arian Voci.

    “I jam drejtuar emisionit Stop për një problem më tepër moral se sa financiar, e ndjej si detyrim ndaj bashkëjetuesit tim Arian Vocit, me të cilin kam bashkëjetuar prej vitit 2003 dhe deri në 2021, kur ai ndërroi jetë. U sëmurë nga fundi i muajit Dhjetor nga një sëmundje e rëndë, kancer në pankreas. Ai shpresonte dhe mendonte që mund të kurohej jashtë siç i kishin thënë. Edhe nxorrëm shtëpinë në shitje. Me këtë problem merren dy prej shokëve të tij, Fatmir Mesi dhe Ylli Selaj.

    Fatmiri gjen blerësin, pronarin e shtëpisë funerale “Parajsa” në të cilën punonte. Kjo nuk u realizua për shkak të kostos së lartë, sa me aq nuk e arrinim dot këtë dhe ndërkohë u tha që teknologjia në Shqipëri ka avancuar dhe mendohet që dhe me kimioterapi mund të arrihej shërimi i plotë i tij. Ylli pretendon që i ka lënë Arjani një prokurë. Por noterja e ka çuar në llogari bankare të Arianit se kështu funksionon.

    Në datën 14 Prill rezulton që ky i tërheq nga llogaria bankare e Arjanit nëpërmjet kësaj prokure, 4 ditë para se të vdiste. Është siguruar që ai ikte përfundimisht dhe asgjë s’e ndalte për të bërë atë që bëri. Në datën 18 Prill Arjani ndërron jetë. Blerësi i shtëpisë, që ishte dhe pronari i shtëpisë funerale, edhe varrimi aty u bë. Ylli ishte ai që mori përsipër të gjitha detajet”.

    Bashkëjetuesja e Arian Vocit denoncon se gjithçka është falsifikuar kur i ndjeri jetonte ditët e fundit në spital.

    Bashkëjetuesja-Ta paska shitur Ariani në datën 6 janar, kur ai ishte me tuba nëpër hundë dhe aty, ku mendohej, që do e zgjaste apo s’do e zgjaste më tej jeta?! Paska pas në mënd, të të shiste ty makinën…?!

    Ylli Selaj- Kjo është gënjeshtra e radhës, që mundoheni ju, qëëë…

    Bashkëjetuesja-Kush është gënjeshtra e radhës?!

    Ylli Selaj- Kjo që the, ti tani…

    Bashkëjetuesja-Dhe ti mendon, që Arjani ka firmosur aty për shitjen e makinës, në atë gjëndje të cilën ishte?!

    Ylli Selaj-Si ishte në atë gjëndje Ariani? Në datën 6 janar ai ishte në gjëndje shumë të mirë…

    Në kontratën e shit-blerjes së makinës në 6 datë Janar 2021, një ditë pasi Arian Voci kishte dalë nga operacioni i vështirë, thuhet se ishte paraqitur personalisht në zyrën e noteres Majlinda Lleshi. Ky është një fakt i pavërtetë pasi, në datën 6 Janar 2021 Arian Voci ka qenë i shtruar në spital dhe kjo provohet nga kartela mjekësore.

    Vetë noterja Majlinda Lleshi, në një bisedë me gazetarin e Stop, pranon se në kontratë nuk është shkruar që Arian Voci ndodhej në spital dhe aty kishte shkuar vetë noterja, por është shkruar që Arian Voci ishte paraqitur para noteres.

    Notere Majlinda Lleshi-Më fal një sekondë! Kontratën kam vajt në spital, i kam marrë firmën Arjanit unë.

    Gazetari-E ke shkruar, që ke vajtur në spital?

    Notere Majlinda Lleshi-Jo, nuk e kam shkruar.

    Gazetari-Edhe këtë e ke shkelje.

    Notere Majlinda Lleshi-Atë shkelje që kam bërë unë, e mbaj përgjegjësinë unë.

    Po kështu, edhe kontrata e shit-blerjes së shtëpisë së Arian Vocit që mban datën 19 Mars 2021, nuk ka të bashkëngjitur një raport mjeko-ligjor që provon aftësinë e Arjan Vocit. Kjo për shkak të ilaçeve e mjekimeve që pacienti përdorte. Lidhur me këtë, noterja Majlinda Lleshi thotë se nuk ka qenë e nevojshme që Arian Voci të ketë patur raport nga mjeku për të firmosur kontratë, edhe pse ai ishte i sëmurë.

    Gazetari-Ai ishte me tumor, Arjani, e dije ti?

    Notere Majlinda Lleshi-Po more, po.

    Gazetari-Po nuk e ke shkruajtur në kontratën e shit-blerjes.

    Notere Majlinda Lleshi-Që?

    Gazetari-Duhet me raport.

    Notere Majlinda Lleshi-Të kujt?

    Gazetari-Që, a është i aftë, që ai të firmosë.

    Notere Majlinda Lleshi-Po Arjani ka qënë me cerozë në mëlçi mor burrë. Si s’ka qënë i aftë? Arjani ka qënë i aftë deri sekondin e fundit, që ka vdek, deri sekondin e fundit.

    Gazetari-Duhet raport nga mjeku, unë e di.

    Notere Majlinda Lleshi-Shiko! Dëgjo! Ajo po të diskutojë anën mendore të Arjanit, është një…

    Gazetari-Po nuk i dihet, se nga terapia, që bën, ato lloj ilaçesh..

    Notere Majlinda Lleshi-Po këtë nuk e gjykon dot ti.

    Gazetari-E gjykon mjeku, pra..

    Notere Majlinda Lleshi-Po ta gjykojë mjeku, ka një gjykatë.

    Gazetari-Jo, më dëgjo pak! Mjeku e gjykon dhe sjell një raport për ty dhe ti si notere, në bazë të këtij raporti mjeko-ligjor…

    Notere Majlinda Lleshi-Jo, e ke gabim, e ke gabim!

    Gazetari-Që ai është i aftë, që këtu ti je në shkelje, jo nuk e kam gabim.

    Notere Majlinda Lleshi-S’jam fare në shkelje dhe në rast se unë jam në shkelje, unë mbaj përgjegjësi atje, ku duhet të mbaj.

    Gazetari-Absolutisht! Po kontrata mund të kishte një raport mjeko-ligjor!

    Notere Majlinda Lleshi-O zotëri! Këtë gjë nuk e vërteton ti, ore! Nuk ka qënë i çmendur Arjani, se po m’lu mendsh.

    Gazetari-Jo i çmendur, por ka qënë i sëmurë.

    Notere Majlinda Lleshi-Kush të tha? Ku e ka pas tumorin more? Në kokë e kishte tumorin?

    Gazetari- Po pse, duhet ta kesh në kokë tumorin?

    Notere Majlinda Lleshi-Po patjetër! Po pate të prekur qelizat nervore, ke probleme mendore.

    Gazetari-Merre pak Mimoza Sadushin edhe pyete, se çfarë proçedurash..!

    Notere Majlinda Lleshi-Mund të shkosh te Mimoza Sadushi!

    Gazetari-Sapo erdha.

    Notere Majlinda Lleshi-Më vjen keq!

    Por kryetarja e Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushi, thotë se në një situatë të tillë, duhet të kishte raport mjeko-ligjor.

    Kryetarja e Noterëve, Mimoza Sadushi-Po ligji i kohës ka parashikuar që në rastet kur personi është i sëmurë, noteri duhet patjetër që të marri një raport mjeko-ligjor që vërteton që është i aftë mendërisht, për të kryer akte dhe veprime noteriale.

    Gazetari-Kështu ti, si notere me përvojë, duhet ta dish..!

    Notere Majlinda Lleshi-Atëherë, unë po të sqaroj edhe njëherë. Nuk më detyron ligji të marr raport mjeko-ligjor!

    Gazetari-Ai vdiq mbas dy javësh.

    Notere Majlinda Lleshi-Po pastaj, se vdiq?

    Problemi tjetër me kontratën e shit-blerjes së shtëpisë qëndron në faktin se noterja thotë që edhe në këtë rast, Arian Voci u paraqit vetë në zyrën noteriale për të firmosur. Por ndryshe thotë bashkëjetuesja e të ndjerit, që tregon se një person i quajtur Taulant shkoi në shtëpinë e tyre dhe i kërkoi Arianit të firmoste kontratën.

    Bashkëjetuesja: “Në datën 19, të nesërmen, vjen një person në derë, thotë jam Taulanti dhe kërkoj Arianin. Hajde brenda i them. Unë mendova që ishte shok pune se nuk e njihja, futet brenda dhe ashtu në këmbë siç ishte, i thotë Arianit më ka dërguar Ylli, ke harruar të firmosësh kontratën. Taulanti ishte blerësi por që në fakt nuk del blerësi, del bashkëjetuesi i blerësit sepse në dokumente kur lexoj shumë kohë më pas del një emër tjetër. Ariani e firmosi në shtëpi këtë kontratë, e pashë që e firmosi, firmosi tek e para dhe u bë gati të shtrihej dhe ndërkohë ai thotë edhe këtu edhe këtu”.

    Bashkëjetuesja-Të kujtohet, kur ke ardhur një ditë në shtëpi, që i ke thënë Arianit, që ishta unë prezent atje, që më tha Ylli ke harruar të firmosësh dokumentet..?

    Taulanti-Çfarë kam thënë edhe një herë?

    Bashkëjetuesja-Të dërgoi Ylli të firmosësh kontratën e shit-blerjes. A të kujtohet, që ke ardhur në shtëpi?

    Taulanti-Jo, s’më kujtohet fare…

    Bashkëjetuesja-S’ të kujtohet fare, që ke ardhur në shtëpi?!

    Taulanti-Po, që kam ardhur në shtëpi më kujtohet, po këtë, që po thua ti, s’më kujtohet…

    Bashkëjetuesja-Po sigurisht! Për atë arsye ke ardhur, se tjetër për çfarë do vije, kur ishte Ariani sëmurë?!

    Gazetari i Stop i kërkoi noteres që t’i vendosë në dispozicion pamjet e kamerave të sigurisë kur Arian Voci paraqitet në zyrën e saj. Noterja u shpreh e gatshme, por që këto pamje mos t’ja japë gazetarit por t’ja dorëzojë prokurorisë në rast se do të jet e nevojshme.

    Gazetari-Po tani ka firmosur këtu apo në shtëpi?

    Notere Majlinda Lleshi-Kush?

    Gazetari-Arjani.

    Notere Majlinda Lleshi-Arjani ka firmos këtu, i thashë edhe zonjës: Të vë në dispozicion kamerat, unë jam gati të përballem.

    Gazetari-Unë tërhiqem, vej kamerat në dispozicion që ti shikoj unë

    Notere Majlinda Lleshi-Po ore, ti vë unë kamerat, kur të duash ti

    Gazetari- Edhe unë tërhiqem fare pastaj, ditën që është bërë, mua ma jep Arjanin që është këtu dhe unë tërhiqem.

    Notere Majlinda Lleshi-Po more, ta sjell Arjanin, o Ida e merr njëçikë atë djalin e sigurisë të “Eagle”? Ta sjell unë mo.

    Gazetari-Të vijmë, kur na le një takim të shikojmë kamerat?

    Notere Majlinda Lleshi-Në prokurori, që nesër!

    Gaazetari-Të shikojmë kamerat.

    Notere Majlinda Lleshi-Unë s’ju jap kamera juve, unë i hap kamerat Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

    Gazetari-Ti do na lesh dorë të lirë?

    Notere Majlinda Lleshi-Investigoni!

    Gazetari-Të investigojmë?

    Notere Majlinda Lleshi-Po!

    Gazetari-Kamerat nuk i ve në dispozicion, që të paktën..

    Notere Majlinda Lleshi-Jo, Prokurorisë së Shtetit, shtetit!

    Gazetari-Dhe ne shtet jemi.

    Notere Majlinda Lleshi-Jo, ju jeni një institucion privat.

    Gazetari-Media është pushteti i katërt.

    Notere Majlinda Lleshi-Jo, pushtet i katërt! Ligjërohu si pushtet i katërt! Shko në Prokurori! Bëj denoncimin për mua dhe unë jam e gatshme të vë në dispozicion çdo gjë, që do duash ti atëherë!

    Në përfundim të procedurës problematike, rezulton se apartamenti i të ndjerit është blerë nga shoku i tij i ngushtë Ylli Selaj për 60 milionë Lekë të vjetra. Lekët i kanë kaluar shokut, siç thotë ai, sepse Ariani i kishte para borxh. Ai shprehet se amanetin ia kishte lënë me gojë, ndërsa me shkrim nuk ekziston asnjë dokument. Kështu që të gjitha paratë e shitjes së shtëpisë i mori shoku i të ndjerit, Ylli Selaj.

    Bashkëjetuesja: “Pas gjithë këtyre gjërave ai pretendon që Ariani ka pasur borxhe të mëdha të cilat ja paska lënë atij amanet me gojë për t’i shlyer. Asgjë e dokumentuar. Ajo që është e dokumentuar është mashtrimi që ky njeri ka bërë”.

    Bashkëjetuesja-Të takojnë ty të gjitha…!

    Ylli Selaj-Moralisht, po..!

    Bashkëjetuesja-Pse s’i bëre me shkrim i dashur Ylli të gjitha gjërat, kur ai t’i paska marrë 20 mijë euro..? Kush është ai budalla, që jep 20 mijë euro borxh edhe nuk i përmend kurrë?!

    Ylli Selaj-Kjo është ajo, që ti s’di marrëdhënien time me atë…

    Bashkëjetuesja-E di mirë mardhënien tënde…Ne diskutuam, që Ariani nuk ka lënë amanete, sepse ai nuk e dinte, që po vdiste dhe ti më ke thënë: m’i ka lënë mua me gojë dhe vetëm për vetëm.

    Ylli Selaj –Dëgjo ti dituria..! Hiq dorë nga kjo gjë, që Ariani nuk e dinte, që po vdiste..! Meqë ti je doktoreshë, ma fakto këtë, që ai nuk e dinte?

    Bashkëjetuesja- Ja të them një gjë..! A u përpoqëm të gjithë bashkë, që t’i mbushnim, tani ilacet që more qetësuese, që ia prezantove Arianit, si pjesë të terapisë? Për çfarë e bëmë? Me qënë i thoshim, që nuk bëhet terapia, sepse nuk ka shpresë për ty…

    Ylli Selaj-Që mos e godisnim atë, sipas udhëzimit të mjekes, mendërisht! Kaq ishte e githa..!

    Bashkëjetuesja-Po ç’do e godisje, kur ai e dinte? Ti po thua ai e dinte. Cfarë goditje tjetër mund t’i jepje?

    Ylli Selaj- Ti po thua, që ai nuk e dinte, që po vdiste. Unë po të them “më trego një njeri, që e dinte, që do vdiste përveç neve, që ishim jashtë”…

    Bashkëjetuesja- Aaa e dinim ne, jo Ariani?!

    Ylli Selaj-Po ti po thua Ariani mi goc..,dëgjon mua, ça po të them..?!.

    Bashkëjetuesja- O Ylli! Ti po thua “Ariani e dinte, që po vdiste dhe të la amanete..!

    Ylli Selaj-Hiq dorë nga kjo gjë, që Ariani nuk e dinte, që po vdiste!

    Bashkëjetuesja- Unë po të them, nuk ka lënë amanete, se nuk e dinte, që do të vdiste.

    Zbardhja e kësaj çështje po vijon ende të ndiqet nga stafi i emisionit Stop.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here