Mesi i nuajit shtator, ne kushte normale do të duhet t’i gjejë nxënësit të ulur në bankat e shkollës. Por të diktuar nga pandemia, ka ende paqartësi për zgjidhjen që do të ndiqet për vitin arsimor edhe pse në këtë komunikim të Ministres së Arsimit u paralajmëruara se po përgatiteshin për dy variantet e mësimdhënies; në shkollë dhe online.
Por që prej dy korrikut nuk ka një informacion më shumë, ndërsa strategjia për hapjen e shkollave është kthyer javët e fundit në shqetësimin kryesor në botë. Ekspertët shqiptarë të Shëndetësisë janë të idesë se nxënësit, duke mos qenë shënjestër e drejtpërdrejtë e Covid 19, mund të vazhdojnë shkollën, në respektim të distancës sociale dhe respektimit të masave mbrojtëse.
Ish ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj madje shkon edhe më tej, duke thënë se tashmë duhet të mësohemi me këtë bashkëjetesë të re. Sipas tij, problem mund të jenë klasat në qytetet e mëdha, ndërsa në zonat lokale, mësimi duhet të vijojë normalisht.
“Është vërtetuar që mësimi online është gati i pamundur për arsimin fillor. Është ndryshe në gjimnaz dhe në universitete është në situatë tjetër. Në këto kushte e gjithë bota po vërtitet në 3 rekomandime, shkolla duhet të bashkëjetojë me virusin. Sot, edhe ekonomistët edhe sociologët e rendisin shkollën para ekonomisë. Nuk duhet menduar më se duhet ta përballojmë këtë online. Rruga është hapja e shkollës dhe ndërmarrja e të gjithë masave, higjiena, distanca fizike dhe maska. Kjo do të thotë që bashkitë dhe drejtoritë arsimore duhet të përgatisin shkollat dhe ne nuk po dëgjojmë që të bëhet ndonjë punë për këtë”, tha Tafaj.
E pyetur nga A2, Ministria e Arsimit bëri me dije se në gjysmën e dytë të gushtit do të ketë më shumë informacion për strategjinë që po hartohet për vitin e ri shkollor, në kushtet kur shifrat janë në përkeqësim.