Detaje të reja janë mësuar në lidhje me skandalin e disa “Call Center-ave” në Shqipëri të cilët kanë mashtruar shtetas të huaj duke i bindur të investojnë shuma të mëdha kapitale ku si këmbim do të arrinin të bëheshin të pasur. Bëhet fjalë për platforma online që hiqen sikur ofrojnë invetsime në bursë, por qëllimi i tyre i vërtetë është që të zhvasin shtetasit e BE-së.
Fax News ka zbardhur letërporosinë e autoriteteve gjermane e cila nxori në pah aktivitetin e jashtëligjshën të disa kompanive “Call Center” që operonin në kryeqytet dhe që mashtronin qytetarë gjermanë, duke i marrë vlera të mëdha monetare me pretendimin e investimit në kriptomonedhë. Referuar letërporosisë, rezulton se një shtetase gjermane, nga nëntori i vitit të kaluar e deri në janar të 2021, ka transferuar shumën totale prej 9,700 euro, mirëpo kjo vlerë nuk iu konvertua asnjëherë në kriptomonedhë dhe as iu kthye mbrapsht.
Tashmë përgjegjësia i ka kaluar autoriteteve shqiptare për të hetuar dhe gjetur vendndodhjen e këtyre “Call Center-ave” nëpërmjet IP-së së internetit. Ndonëse janë ushtruar kontrolle në disa zona të dyshuara, ende nuk ka rezultate konkrete. Theksojmë se dy vitet e fundit ky aktivitet është zgjeruar dhe mijëra persona janë mashtruar nga operatorët shqiptarë të “Call Center-ave”, duke u prezantuar si përfaqësues të kompanive të njohura me bazë në Itali apo në vende të tjera me qëllim që të bëheshin më të besueshëm.