Zia ka pllakosur në banesën e familjes Kuburja në Fushë- Krujë, të cilët humbën në moshën 15-vjeçare vogëlushen e tyre Elonën. Familja Kuburja ka hapur dyert e mortit e pret ngushëllime për humbjen e rëndë që pësoi. Vajza e tyre 15-vjeçarja Elona Koburja u dërgua në Turqi për kurim, por nuk u kthye me prej andej pasi sëmundja e rëndë nga e cila vuante e mposhti. Me lot në sy nëna e 15-vjeçares kërkon ndihmë që trupi i pajetë i së bijës të transportohet sa me shpejt nga Spitali i Turqisë në banesë për t’i bërë edhe nderimet e fundit.
15-vjeçarja Elona Kuburja vuante nga sëmundja e rrallë e quajtur Hemangioma kongenitale, një lloj tumori beninj që prek enët e gjakut dhe shkakton hemorragji. Historia e trishtë e 15-vjeçares Kuburja e bë publike pas apelit të familjarëve në televizionin News 24 ku ata kërkonin ndihmë për të shpëtuar vajzën e tyre. Kjo sëmundje ishte e lindur dhe nëna e vajzës kishte 14 vite që e kuronte ata duke e trajtuar me operacione.
Mjekët e QSUT-së dhanë alarmin se vajza duhej trajtuar urgjentisht jashtë shtetit. Kur mjekët nuk i kishin dhënë më shumë se 24 orë jetë familja u detyrua që me paratë e marra borxh dhe disa të siguruara nga shqiptarët ta niste drejt një spitali privat në Turqi për kurim të specializuar. Në të njëjtën ditë që vajza u nis në Turqi, Ministria e Shëndetësisë lajmëroi se do ta merrte tërësisht përsipër rastin e 15-vjeçares Elona Kuburjas.
Po ashtu edhe kryeministri Edi Rama u shpreh se shpenzimet do të mbuloheshin nga shteti dhe nga një ekip mjekësh nga më të njohurit në Turqi do të merreshin me trajtimin shëndetësor të vajzës. Por mëngjesin e të dielës 15-vjeçarja Elona Kuburja nuk mundi të mposhtte sëmundjen e saj të rëndë dhe ndërroi jetë në Turqi.